E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Athina i kërkuari për vjedhje me armë

TIRANË - Ekstradohet nga Greqia një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me armë. Saimir Sulaj, 23 vjeç, nga Fieri, është ekstraduar dje nga Athina e Greqisë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 24 prill të vitit 2008, e ka dënuar atë me 15 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë”. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor 23-vjeçari ka ndodhur më datë 17 shtator të vitit 2006, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Mallakastër-Tepelenë, në afërsi të fshatit Fratar, kur ai, i armatosur, ka ndaluar disa automjete dhe përmes kanosjes u ka grabitur drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve të tyre shuma të konsiderueshme parash dhe telefonat celularë. I riu u identifikua dhe u shpall në kërkim nga policia, ndërsa kishte arritur t’u shpëtonte prangave pasi ishte larguar drejt shtetit helen. I kërkuari u kap në gusht të vitit të kaluar nga Policia greke me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, gjë e cila u bë e mundur ditën e djeshme.

Pranga të kërkuarit për plagosje
KORÇË – Plagosi një shtetas, arrestohet autori i ngjarjes. Forcat e Policisë së Pogradecit kanë mundur të vënë në pranga 34-vjeçarin Fatmir Hoxha, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia për veprën penale të plagosjes së rëndë. I dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes, ky person akuzohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim”, pasi dyshohet të jetë autori i ngjarjes së ndodhur në dhjetorin e kaluar, ku së bashku me personin që mban inicialet O. Xh. kanë qëlluar me thikë personin tjetër me inicialet F. B. Ndërkaq, forcat e Policisë së Pogradecit kanë ndaluar edhe një person tjetër të shpallur në kërkim me emrin Halim Misliu, pasi ndaj tij rëndonte akuza e veprës penale të “kanosjes”.

Policia, 3.9 milionë lekë për të përmbyturit

Policia e Shtetit vazhdon solidarizimin me familjet e përmbytura në Veri të vendit. Rreth 3.9 milionë lekë kanë arritur të mbledhin uniformat blu në ndihmë të të përmbyturve. Duke shprehur solidaritetin e tyre me këta banorë, drejtoritë e policive në qarqe dhe drejtoritë rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit, derdhën vullnetarisht kontribute në vlerë monetare në ndihmë të të dëmtuarve. Kontributi financiar i mbledhur nga dhurimet vullnetare të punonjësve të këtyre drejtorive llogaritet në vlerën 3 889 100 lekë. Ky kontribut financiar është derdhur në llogarinë speciale “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”.

Pranga të dënuarit me 10 vite burg

DURRËS – Arrestohet i dënuari me 10 vite burg për kalim të paligjshëm të kufirit. Policia e Durrësit ka arritur të vërë në pranga Fatos Sheshin, pas vendimit të Gjykatës së Korçës, e cila e shpallte fajtor dhe e dënonte me 10 vite burg. Sheshi, 35 vjeç, është akuzuar se ka tentuar të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin për në shtetin grek dhe lidhur me këtë vepër, më datë 24.12.2009, ai është shpallur fajtor. Vetëm 5 ditë më parë ai është shpallur në kërkim. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›