Mësuesit pa arsim përkatës me kontratë të përkohshme
ELBASAN – Të gjithë mësuesit me diplomë të shkollës së mesme ose që nuk janë në profilin e duhur për mësimdhënie do të kalojnë me kontratë. Një gjë e tillë është deklaruar nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në qarkun e Elbasanit, Kujtim Mema, gjatë një takimi të ndërmarrë për reformën në këtë institucion. “Të gjithë punonjësit që janë pa arsim përkatës do të quhen të përkohshëm në arsim, bëhet fjalë për të gjithë ata mësues që aktualisht punojnë, por që janë me diplomë të shkollës së mesme. Të gjithë këta punonjës do të quhen të përkohshëm dhe në qoftë se janë definitivë, ata do të kthehen me kontratë, për t’u zëvendësuar me mësues me arsim të lartë”, - tha Mema. Sipas tij, një kategori tjetër mësuesish që quhen pa arsim përkatës, janë edhe ata mësues me arsim të lartë, që punojnë jashtë profilit të tyre. Jashtë profilit do të quhen edhe ato mësues, të cilët japin lëndë profesionale nëpër shkolla. Bëhet fjalë për ata mësues që janë ekonomistë, inxhinierë, agronomë, zooteknikë, këto do të quhen të përkohshëm, edhe pse kanë marrë një emërim definitiv. Këta mësues duhet të certifikohen për pedagogji apo psikologji, e më pas do të quhen mësues të përhershëm”, - deklaroi Mema. Ndërsa përsa u përket zonave të thella rurale, ku më shumë se dhjetë drejtues shkollash 9-vjeçare janë me arsim të mesëm, sipas Memës, do të zëvendësohen me mësues me arsim të lartë.
Evazioni fiskal dhe informaliteti, bllokohen 70 biznese
FIER - Policia Tatimore e rrethit të Fierit, gjatë kësaj periudhe tremujore ka bllokuar aktivitetin e biznesit për rreth 70 subjekte. Arsyeja e marrjes së kësaj mase ka qenë mosshlyerja e detyrimeve të vitit 2007, si dhe informaliteti. Sipas kreut të Policisë Tatimore, Agron Selimaj, gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar rreth 1000 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël, me qëllim verifikimin e dokumentacionit me të cilin duhet të pajisen subjektet, shlyerjen e detyrimeve si dhe respektimin e ligjshmërisë. Nga kontrollet e ushtruara rezultoi se 34 subjekte nuk kanë deklaruar fuqinë punëtore. Gjithashtu, 23 subjekte të biznesit të madh, nuk kanë shlyer detyrimet tatimore të vitit të kaluar. Ato kanë krijuar një debit të përgjithshëm në vlerën 25 milionë lekë. Në operacionet e organizuar kohët e fundit janë sekuestruar rreth 15 500 paketa cigaresh, të cilat qarkullonin në treg pa faturën tatimore.
Digjet kasollja me dy lopë, dyshim për zjarrvënie
KUÇOVË - Në një nga fshatrat e rrethit të Kuçovës, një kasolle e ndërtuar pranë shtëpisë, e cila shërbente edhe si depo drithi, është shkrumbuar në orët e vona të mbrëmjes së ditës së martë. Ka qenë ora 19:50 kur kasollja e shtetasit Sulejman Pirja, 54 vjeç, nga fshati Tapi, komuna Perondi e rrethit të Kuçovës, brenda të cilës ndodheshin dy lopë, 6 kuintalë miell dhe 90 kg raki ka filluar të përpihet nga flakët dhe brenda pak minutash zjarri është përhapur me shpejtësi në të gjithë sipërfaqen e kasolles. Dëshmitarët në vendngjarje shprehen për gazetën se edhe pse pjesëtarët e familjes Piraj dhe bashkëfshatarët e tyre janë munduar me mjete rrethanore që të fikin zjarrin, por nuk ia kanë dalë mbanë. Burimet raportojnë se kanë mbetur të djegura dy lopë, 6 kv miell si dhe 90 kg raki rrushi. Pas kryerjes së veprimeve hetimore grupi hetimor ka konstatuar se djegia nuk është kryer nga faktorë të jashtëm natyrorë, ndaj menjëherë ka filluar hetimin dhe po punon për identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe zbardhjen e motivit të djegies së kasolles që shërbente edhe si depo ushqimesh.
20 Mars 2008