Urdhri, nuk lejohet shitja e gazit në zonat e banuara
ELBASAN - Të gjitha pikat që tregtojnë gaz në qendra të banuara, brenda ditës së mërkurë duhet të ndërpresin aktivitetin e tyre, për t'u transferuar jashtë qytetit. Ky është paralajmërimi i fundit që ka bërë dega e Tatim-Taksave në qytetin e Elbasanit përpara se të ndërmarrë një aksion për gjobitjen dhe ndërprerjen e aktivitetit të këtyre subjekteve. Shefi i degës së Tatim-Taksave, Skënder Daja, deklaroi dje se "i kemi dërguar një shkresë të gjitha bashkive të qarkut të Elbasanit që të marrin masat për largimin e të gjitha pikave të gazit, të cilët tregtojnë në qendra të banuara, pasi mund të shkaktojë rrezikshmëri për qytetarët. "Data 19 mars është afati i fundit dhe duke filluar që nga dita e enjte, vetë Policia Tatimore do të ndërmarrë një aksion për gjobitjen e të gjitha këtyre subjekteve që nuk respektojnë këtë iniciativë”, - theksoi Daja. Sipas Dajës, në qarkun e Elbasanit janë më shumë se 200 pika që tregtojnë gaz dhe vetëm në qytetin e Elbasanit janë 85 pika të tilla. “Nuk do të lejohet më asnjë firmë që të tregtojë gaz në ambiente publike, si në katet e para të pallateve apo brenda lagjeve”, - tha Daja.
20 Mars 2008