E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesja vdes nga gripi i derrit

 KORçE/ GEZIM ASHIMIVirusi A/H1N1 shkakton viktimën e 11-të në vendin tonë. Viktima e radhës është një grua 55 vjeçe nga Korça, e cila humbi jetën pasditen e së mërkurës në spitalin rajonal. Sipas mjekëve të Korçës, K.ç, me profesion mësuese, ka ndërruar jetë pas rëndimit të gjendjes shëndetësore në katër ditët e fundit. Dyshimet më të forta të mjekëve për vdekjen e 55-vjeçares ishin për prekjen e saj nga virusi i gripit të derrit. Dyshimi i tyre u konfirmua nga mjekët specialistë në Tiranë, pasi u kryen analizat përkatëse dhe rezultoi se gruaja ishte prekur nga virusi vdekjeprurës. Sipas mjekëve të Korçës, vdekja e gruas ka ardhur edhe për shkak se ajo nuk mundi t'i bëjë ballë një sëmundjeje në mushkëri. Burime nga spitali bënë të ditur se analizat e kryera këto ditët e fundit, kur 55-vjeçarja u rëndua nga gjendja shëndetësore, treguan se mushkëritë e saj ishin tepër të dëmtuara. "Pacientja është trajtuar me disa antibiotikë të fuqishëm, por edhe me Tamiflu, që përdoret kundër gripit të derrit", u shpreh dje drejtori i Spitalit Rajonal të Korçës, mjeku Mishel Papakozma. Sipas tij, pas vdekjes së gruas u dërguan në Tiranë analizat për të përcaktuar shkakun e vërtetë që solli edhe humbjen e jetës së saj. Papakozma theksoi se pacientja është trajtuar me medikamente të forta, për shkak të dëmtimit të rëndë të mushkërive, ndërsa Tamiflu-ja iu dha pasi dyshohej që në fillim se ajo ishte prekur edhe nga gripi i derrit. "Ky trajtim me Tamiflu kryhet për të gjithë pacientët që dyshohet se janë të prekur me virusin A/H1N1, por për rastin e vdekjes së mësueses 55-vjeçare, nga qyteti i Korçës, do të jenë analizat që do të kryhen në Tiranë, ato që do të përcaktojnë nëse ka vdekur nga ky virus apo nga një sëmundje e pashërueshme që mund t'i kishte prekur mushkërinë", u shpreh më tej drejtori i spitalit të Korçës. Ai sqaroi më tej edhe një rast tjetër të dyshuar me sëmundjen e gripit të derrit, të një gruaje shtatzënë në maternitetin e Korçës. Sipas tij, kjo grua është trajtuar gjithashtu me Tamiflu, por ndryshe nga zëra të brendshëm të maternitetit, që pohonin për një gjendje karantine të gruas shtatzënë, drejtori u shpreh se ajo ndodhet tashmë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë çdo rreziku për jetën e saj dhe të fëmijës. Gruaja 55-vjeçare nga qyteti i Korçës shënon rastin e dytë të vdekjeve nga prekja prej këtij virusi në këtë qark. Pak kohë më parë, një i ri nga fshati Vreshtas ndërroi jetë prej gripit të derrit. Sipas mjekëve, edhe ky person vuante gjithashtu prej vitesh nga një gjendje paralize.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›