Itali, skaner në tre aeroporte, Fiumiçino, Malpenca dhe Venecia
Italia ka vendosur të mbështesë vendosjen e skanerve të trupit nëpër aeroportet e saj, si një ndër masat antiterrorizëm që e kanë zanafillën në Shtetet e Bashkuara. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, ka pohuar se "Maksimumi brenda tri muajve do të nisë eksperimentimi i skanerëve të trupit në tre aeroportet kryesore italiane: Fiumiçino, Malpenca e Venecia". "Vendimi i Italisë për të vendosur skaner trupi është një vendim i marrë tashmë dhe i diskutuar mirë. Para së gjithash duhet të ketë siguri për ata që udhëtojnë, sepse e drejta e jetës është prioritet", tha ministri italian. Skanerët e rinj të trupit do të blihen me të ardhurat në dispozicion të strukturave të sigurisë në Itali, prej rreth dy milionë eurosh. Kostoja e një makinerie do të jetë nga 100-200 mijë euro. Nuk do të ketë asnjë taksë plus për pasagjerët. Kontrolli i sistemit të ri të sigurisë nuk do të ushtrohet për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë në aeroportet italiane, por për udhëtimet me destinacionet më të ndjeshme. Përveç Italisë, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Holanda i kanë shpallur planet e tyre për të vendosur në aeroporte skanerët e trupit, ndërsa në botë është rritur shqetësimi për sigurinë pas sulmit të dështuar në avionin "Delta" që shkonte në Detroit. Vendosja e skanerve të trupit ka qenë një temë mjaft e debatueshme pasi shumë qytetarë e shoqata janë revoltuar nga prekja e intimitetit të tyre, pasi në këta skaner tregohen edhe organet intime të udhëtarit. Në Britani nisën polemikat pasi këta skaner shkelnin ligjet e pornografisë për fëmijët, të cilat ndalojnë riprodhimin e imazheve të pahijshme për fëmijët. Gjithashtu ka shqetësime se imazhet që do të shfaqen në skanerët e trupit, të cilët i paraqesin pasagjerët krejtësisht të zhveshur, mund të përfundojnë në internet, sidomos në rastet kur udhëtojnë persona të famshëm.