E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta - Veljanovski: Parlamentet kontribut të rëndësishëm në nxitjen e proceseve integruese mes dy vendeve

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Shkup, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Meta vlerësoi bashkëpunimin që po realizohet ndërmjet dy Parlamenteve duke vënë në dukje nevojën për rritjen dhe zgjerimin e kontakteve dhe institucionalizimin e takimeve të përvitshme të Kryetarëve të Parlamenteve të të dy vendeve. Gjatë takimit u vlerësua se Parlamentet mund dhe duhet të japin një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe përparimin e proceseve integruese të të dy vendeve tona, pasi janë pikërisht këto institucione që miratojnë legjislacionin e nevojshëm për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike. Të dy palët vlerësuan se në interes të këtyre proceseve, por edhe të dialogut të gjithanshëm politik, duhet të intensifikohen kontaktet ndërmjet Komisioneve Parlamentare të Politikës së Jashtme dhe Integrimit të të dy vendeve. Meta vlerësoi gjithashtu veprimtarinë e Parlamentit maqedon për miratimin e ligjeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe shprehu besimin për vazhdimësinë e angazhimit në miratimin e të gjithë kuadrit ligjor që buron nga kjo marrëveshje, për të siguruar zbatimin e plotë të saj. Në këtë kontekst, duke bërë një vlerësim të veçantë për opinionin e GJND-së, Ilir Meta përshëndeti edhe miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Kosovën dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend fqinj, duke i cilësuar këto si veprime në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Meta-Ivanov

Siguria dhe stabiliteti në rajon janë në proces konsolidimi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Shkup, është takuar me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Gjatë takimit u diskutua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, të zhvillimeve në rajon dhe të proceseve integruese në BE dhe NATO. Meta dhe Ivanov vlerësuan nivelin e marrëdhënieve dhe shkallën në rritje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Në këtë kuadër u vlerësua bashkëpunimi në nivelin më të lartë politik, për të cilin kanë kontribuar edhe takimet e rregullta të Presidentëve të dy vendeve. Të dy palët shprehën gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej në të ardhmen. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim, duke theksuar se një rajon në paqe, në mirëkuptim dhe bashkëpunim në rritje, ofron garanci dhe perspektiva të përbashkëta për integrim në BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Ilir Meta vlerësoi vendimet e Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për zgjidhjen e çështjes së kufirit me të, drejtësia e të cilave u konfirmua edhe nga opinioni i GJND-së. Në përfundim, Meta dhe Ivanov shprehën vullnetin e përbashkët për të kontribuar në rritjen e investimeve infrastrukturore dhe për të lehtësuar shkëmbimet reciproke në të gjitha fushat me interes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›