E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese, PD kërkon mbledhjen me urgjencë të Kuvendit për të emëruar Kryetarin

Mazhoranca: Bamir Topi ka shkelur Kushtetutën


Shumica parlamentare akuzoi sot kreun e shtetit se po mban peng dekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi tha se prej afro 2 muajsh, Gjykata Kushtetuese është pa kyetar legjitim, ndërsa ai aktual, Vladimir Kristo, qëndron në atë post në shkelje me ligjin dhe Kushtetutën. “Presidenti nuk ka emëruar kreun e Kushtetueses, proces ky që duhej bërë që në 4 qershor. Ky është një akt i rëndë e i paprecedentë. është një fyerje për Kushtetutën e shtetin ligjor”- u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. Deputeti demokrat, kërkoi mbledhjen e Kuvendit në urgjencë, për të kaluar dekretin. “Në emër të komisionit të Ligjeve dhe të Kushtetutës i kërkoj Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, institucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht kërkoj thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij”- deklaroi sekretari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi. Duke e cilësuar si ngjarje shumë të rëndë shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti Topi, Halimi tha se “Kreu i shtetit nuk ka ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor”. “Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar, si dhe nje fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Në frymën e tij ligji dhe Kushtetuta duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetarët dhe nga Presidenti i vendit”- theksoi deputeti democrat, Halimi. Lidhur me nenin 125 të Kushtetutës, ku thuhet se “kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit, vetëm për një periudhë 3-vjeçare”, deputeti Halimi tha se Topi e ka shkelur rëndë këtë duke krijuar një precedent të rrezikshëm Kushtetues. “Paraardhësi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar me tej detyrën e tij si gjyqtar. Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre”- vuri në dukje deputeti demokrat, Eduard Halimi. Sipas tij, është tepër e rëndë për shqiptarët, të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë e Presidentit të Republikës.




Amulli e paprecedentë në GJK, e pafalshme, që në krye të këtij institucioni vazhdon të qëndrojë një kryetar antikushtetues


Kreu i Shtetit vazhdon të mos japë asnjë prononcim për shkeljen e Kushtetutës, duke mos emëruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Ish-ministri i Drejtësisë, Kudret çela, shprehet se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, qëndron në krye të detyrës në shkelje me Kushtetutën. “Punimet e Kuvendit janë mbyllur dhe kjo përbën dhe një çështje që e zgjat më tej, e shton më tej qëndrimin në detyrë në mënyrë të paligjshme në një mënyrë që vjen ndesh me Kushtetutën të një kryetari ‘de jure’ e sipas Kushtetutës nuk është më kryetar i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai. Sipas përllogaritjeve kohore, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka përfunduar mandati që në datë 7 qershor ndërsa nuk ka asnjë sinjal nga presidenca për emërimin e kryetarit të ri. Presidenti duhet të kishte filluar menjëherë procedurat e emërimit. Kryetarit aktual, i ka përfunduar mandati që afro 2 muaj më parë. Realisht, presidenti i Republikës, ka pasur kohën e mjaftueshme, për të emëruar kryetarin e ri ose për të riemëruar atë aktual, siç edhe e parashikon ligji organik. Por, e vërteta është se presidenti Topi, s’ka respektuar as njërën dhe as tjetrën. Arsyeja? Askush s’e ka të qartë, përveç njërit, Presidentit të Republikës, i cili deri më tani, s’ka dhënë as përgjigjen më të vogël, veç asaj se emërimi i kryetarit të ri, do bëhet pas pushimeve të nxehta të verës, të cilat me sa duket presidenti do t’i kalojë diku larg... Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, çela, Kreu i shtetit ka shkelur nenin 145 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku parashikohet qartë se me mbarimin e mandatit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese s’duhet të qëndrojë në detyrë dhe se duhet të emërohet kryetari i ri. “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj, nga presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë prej tre vjetësh. Nga vetë formulimi, natyra juridike e këtij paragrafi, që parashtrohet në nenin 145 te Kushtetutës, rezulton se ky formulim ka ne thelbin e vet karakterin shume imperativ. ç’ka do të thotë se me mbarimin e këtij afati kryetari s’mund të jetë më kryetar. Presidenti duhet që brenda numrit të anëtarëve që ka në Gjykatën Kushtetuese të emëronte një kryetar duke marrë dhe pëlqimin e Kuvendit”, tha më tej juristi Kudret çela. Një tjetër çështje që duhet zgjidhet brenda Gjykatës Kushtetuese, krahas mos emërimit nga Kryetarit të saj, është edhe përfundimi i mandatit të katër anëtarëve të këtij trupi gjykues, të cilëve u ka mbaruar mandati dhe do qëndrojnë në atë post deri në emërimet e reja.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›