E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare/Brukseli: Në shtator Këshilli i Ministrave jep vendimin për vizat

Komisioneri për Zgjerimin, Fule: Jam optimist për liberalizimin


Shqipëria ka kaluar testin për liberalizimin e vizave. Kryekomisioneri i Bashkimit Evropian, për Zgjerimin, Stefan Fule, është shprehur se vlerësimi i ekspertëve është plotësisht pozitiv, çka do të thotë se Shqipëria ka përmbushur kriteret e përfitimit të vizave. Kryerja e angazhimeve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe raporti pozitiv i ekspertëve të Bashkimit Europian që vizituan Tiranën gjatë këtij muaji, cilësohen tashmë nga Brukseli si hapa mjaft inkurajues në procesin e liberalizimit të vizave. Fule thotë se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të bëjë në shtator propozimin për heqjen e regjimit të vizave, ç’ka do të thotë se deri në fund të vitit shqiptarët do të lëvizin pa viza.
“Kam qenë gjithmonë optimist për procesin e vizave, për Shqipërinë, aq më tepër duke parë rezultatet shumë të mira të Qeverisë shqiptare në përmbushjen e udhërrëfyesit. Së fundmi kishte një mision ekspertësh në Shqipëri dhe ato që kam dëgjuar në lidhje me raportin e ekspertëve, janë shumë inkurajuese. Shpresoj shumë që në shtator, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të fillojnë një proces, në fund të të cilit qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë pa patur nevojë për vizë”- u shpreh zyrtari i lartë i Brukselit.
Lidhur me situatën politike në Shqipëri, komisioneri Fule u shpreh se forcat politike duhet të bëjnë përpjekje të shumë anshme, për nisjen e dialogut politik.
“Jam i kënaqur që partitë politike janë kthyer në parlament, por njëkohësisht unë shoh një hendek në dialogun mes qeverisë dhe opozitës dhe kam frikë se nuk janë zgjidhur siç duhet arsyet e ngërçit politik. Pra, mbetet ende punë për të bërë nga forcat politike në Shqipëri, bazuar në parimet që tashmë i kemi përsëritur gjithnjë; Kushtetueshmëria dhe Transparenca”- deklaroi më tej, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Ekspertët e Bashkimit Evropian vëzhguan nga afër procesin e përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave. Vlerësimi paraprak i misionit faktmbledhës së Brukselit, është se autoritetet shqiptare kanë plotësuar me seriozitet detyrat e udhërrëfyesit për vizat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›