E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Milloshoskit: Të respektohet marrëveshja e Ohrit, qeveria “Gruevski” të tregohet e vëmendshme

Zv/kryeministri Meta takon në Shkup krerët më të lartë të shtetit maqedonas


Kyediplomati shqiptar Ilir Meta i ka tërhequr vëmendjen qeverisë së Maqedonisë që të tregohet e kujdesshme në respektimin e përpiktë të marrëveshjes së 2001-shit, që solli paqen ndëretnike në Maqedoni. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Miloshoskin, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta ka deklaruar se cenimi i marrëveshjes së Ohrit, nuk garanton integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe as siguron paqen ndëretnike. “Ne mbështesim plotësisht dhe fuqimisht, implementimin e plotë dhe efikas të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje që ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit të Maqedonisë dhe në avancimin e agjendës së saj euro-atlantike dhe evropiane. Qeveria shqiptare beson se kjo marrëveshje është kuadri më i mirë për të forcuar më tej bashkëjetesën e komuniteteve etnike këtu, për të realizuar më tej të drejtat e komunitetit shqiptar por natyrisht edhe për të afruar edhe më tepër vendin tuaj me Bashkimin Evropian”- deklaroi kryediplomati shqiptar Ilir Meta. Duke i kujtuar homologut të tij maqedonas, se Shqipëria po tregon kujdesin më të madh për pakicat etnike, duke u fokusuar te minoriteti maqedonas, Meta i kërkoi Milloshovskit që të njëjtën gjë të implementojë edhe shteti fqinj. “Shqipëria ka treguar dhe do vazhdojë të tregojë se është e vendosur të garantojë standardet më të larta evropiane për pakicat etnike në vend, dhe natyrisht edhe për pakicën maqedonase që gëzon dhe do gëzojë të gjitha të drejtat e saj. Ne mendojmë se e ardhmja e Ballkanit është Bashkimi Evropian dhe aplikimi i standardeve evropiane për pakicat kudo”- deklaroi më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›