E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori shqiptar në Bosnje Flamur Gashi i dorëzon letrat kredenciale presidentit Silajdiç

Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, Flamur Gashi, i ka paraqitur dje letrat Kredenciale Presidentit të radhës të Bosnje-Hercegovinës, Haris Silajdiç. Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet politike mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh ekonomik, kulturor dhe turistik si dhe e bashkëpunimit shumëpalësh në kuadër të nismave ndërkombëtare dhe rajonale. Në këtë kuadër, Presidenti i Bosnje-Hercegovinës vlerësoi vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për të hapur Ambasadën e saj në Sarajevë dhe shprehu bindjen se shumë shpejt duhet të hapet edhe Ambasada e Bosnje-Hercegovinës në Tiranë. Gjithashtu Presidenti Silajdiç shprehu konsideratën më të lartë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe vlerësoi pjesëmarrjen e delegacionit të Shqipërisë të kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, në përkujtimin e 15 vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Ambasadori Gashi, pasi e falënderoi Presidentin Silajdiç për pritjen e ngrohtë që ka gjetur në Bosnje-Hercegovinë, e siguroi atë për angazhimin maksimal të Ambasadës shqiptare në thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe turistike, si dhe për vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimeve në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu Ambasadori Gashi e informoi Presidentin Silajdiç, rreth një sërë nismave dypalëshe dhe shumëpalëshe që do të mbahen në Tiranë gjatë muajve të ardhshëm duke veçuar këtu nismën e Presidentit Topi për mbajtjen së afërmi të forumit të 7- të Ekonomik Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, nismën e organizimit gjatë vitit 2011 të një forumi të Biznesit Shqipëri-BH nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Berisha apo edhe mbi organizimin e vizitave njohëse të kompanive turistike në Shqipëri nën mbikëqyrjen e zëvendëskryeministrit Meta. Presidenti boshnjak, Silajdiç vlerësoi në mënyrë të veçantë qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë për zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, në dobi të stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›