E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori në Bruksel, Komisioni i Jashtëm njihet me kandidaturën

Komisioni i Jashtëm ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me dy kandidaturat e propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme për ambasadorë në Mbretërinë e Belgjikës si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ambasadori ynë në Bruksel merr një rëndësi të veçantë në këto momente kur Belgjika pritet të jetë dhe kryesuesja e BE-së në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, prezantoi zotin Ilir Tepelena si kandidat për postin e ambasadorit në Mbretërinë e Belgjikës. Tepelena ka një përvojë të gjatë diplomatike në disa vende të ndryshme të Evropës, si Romë, Madrid e Paris. Kandidati për ambasador në Bruksel premtoi se përparësi e punës së tij do të jetë pikërisht forcimi i marrëdhënieve midis Brukselit dhe Tiranës zyrtare. Në mënyrë të veçantë ai vuri theksin tek rëndësia që ka forcimi i këtyre marrëdhënieve, si një impuls për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi Belgjika pritet që në gjysmën e dytë të këtij viti të drejtojë Presidencën e Bashkimit Evropian. Tepelena theksoi se do të punohet fort që gjatë Presidencës belge të BE-së, të ketë lajme të mira dhe pozitive për sa i përket vlerësimit që pret Shqipëria për statusin e vendit kandidat. Ndërsa në prezantimin e Behar Bejkos, përfaqësuesi i MPJ-së vlerësoi përvojën dhe njohjen e mirë të tij me vendet e Lindjes së Mesme. Bejko nga ana e tij theksoi se një nga objektivat kryesore të tij do të jetë krijimi i urave lidhëse midis dy vendeve për një bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, kulturore, politike si dhe sociale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›