Meta: 2010-a do të ketë sërish Kosovën në qendër të diplomacisë shqiptare

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, vlerëson se pavarësia e Kosovës është prioriteti i Qeverisë Shqiptare, ndërkohë që e konsideron si debat folklorik, kritikat e shprehura lidhur me pritjen që iu bë delegacionit të minoritetit serb që vizitoi TiranënZëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, ka vlerësuar dje se, përmirësimi i marrëdhënieve politike pse jo dhe atyre ekonomike me Serbinë, është në funksion të politikave ndër rajonale që i shërbejnë integrimit evropian të Gadishullit ballkanik. Këtë vlerësim Meta e bëri dje në një konferencë për shtyp, ku sqaroi edhe deklaratat e lidhur me takimin që ai zhvilloi në Tiranë me përfaqësuesin minoritetit serb në Kosovë.Sipas Metës, “përpjekja për të keqkuptuar një politikë kaq largpamëse dhe kurajoze, është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat folklorik. Mbështetja që Shqipëria dhe Qeveria e saj kanë dhënë për këtë komunitet dhe për Komunën e Graçanicës, është në mbështetje të forcimit të institucioneve të Kosovës, është mbështetje për realizimin e atyre standardeve që afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian, dhe kjo është në interes të gjithë Kosovës”, u përgjigj Meta. Më tej, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta garantoi se, “jemi të vendosur për të ecur përpara në rrugën e integrimeve, jemi të vendosur të vazhdojmë politikën tonë për mbështetjen e mëtejshme dhe të plotë të pavarësisë së Kosovës, sikurse ka ndodhur deri tani dhe ndodh vazhdimisht”.Gjithashtu Meta tha se, “njëkohësisht, ne jemi të vendosur të ecim drejt politikës së bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit tonë, sepse këtë politikë e kërkon vetë domosdoshmëria për shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe të vendeve të tjera të rajonit”. Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Serbinë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta , sqaroi se, “nuk shtrohet çështja se Shqipëria kërkon të vendosë një prioritet të jashtëzakonshëm në këto raporte, por duhet të kemi parasysh se politika e Shqipërisë, është politika e bashkëpunimit rajonal, është politika e integrimit rajonal si parakusht për integrimin evropian”. I pyetur se çfarë i ofron koalicioni qeverisë, Partisë Socialiste me qëllim që ajo të hyjë në Parlament, Meta theksoi se, “Vullnetin më të hapur e më të sinqertë për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, çdo kërkesë demokratike, çdo kërkesë kushtetuese. Që do të thotë se jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do t’i shërbejë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit. Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që qeveria dhe mazhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë”....