Pyetësori, Bregu u ndan detyrat ministrave
Komiteti i Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian përcaktoi udhëzime të mëtejshme në lidhje me procesin e plotësimit të Pyetësorit të Komisionit Evropian. Sipas këtij udhëzimi, të gjitha grupet ndërinstitucionale të punës dhe ministritë/ institucionet e përfshira në proces kanë marrë pjesët përkatëse të Pyetësorit të Komisionit Evropian.
Ministria e Integrimit njofton se është kryer analiza e pyetjeve nga Ministria e Integrimit. Analiza konsiston në ndarjen (zbërthimin) e çdo pyetjeje në nënpyetje dhe përcaktimin e ministrisë/ institucionit që duhet të përgjigjet për hartimin e përgjigjes për çdo nënpyetje. Pyetjet e analizuara u janë dërguar grupeve ndërinstitucionale të punës. Të gjitha grupet ndërinstitucionale në bashkëpunim me ministritë/ institucionet e përfshira në proces janë duke përcaktuar personat përgjegjës për hartimin e çdo pyetjeje/ nënpyetjeje, të cilët do të regjistrohen si përdorues në portalin e administrimit elektronik të procesit dhe përgjigjeve. Gjithashtu, është krijuar infrastruktura e nevojshme për përkthimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian, e cila përfshin rrjetin kompjuterik dhe programet profesionale të përkthimit. Ministrja e Integrimit pohon më tej se ka filluar përkthimi i pyetjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian. Kurse sot, me datë 22 dhjetor 2009, do të zhvillohet mbledhja e radhës e KKNIE-së. Në të do të diskutohet aktiviteti dhe problematika e deritanishme dhe do të miratohet raporti për mbledhjen e KKNIE-së që do të zhvillohet më datë 23 dhjetor 2009. Grupet ndërinstitucionale të punës kanë realizuar 18 takimet e para, në të cilat është diskutuar analiza e pyetjeve dhe janë kryer përmirësime në zbërthimin e pyetjeve të kryer nga Ministria e Integrimit.