Rama: “Buxheti i fundit i qeverisë “Berisha” nuk u garanton as mbijetesën shqiptarëve”
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka quajtur projektbuxhetin e vitit 2008 të paraqitur nga qeveria si shprehja më e qartë e dështimit të programit të qeverisjes së votuar nga shqiptarët në zgjedhjet e 2005-ës. Rama tha se ky projektbuxhet i qeverisë nuk është gjë tjetër veçse rrëshqitje gjithnjë e më shumë e Shqipërisë në një rrugë me më shumë varfëri, papunësi, korrupsion, injorancë dhe përjashtim social. Kreu i PS-së tha se si rezultat i korrupsionit dhe dështimeve të qeverisë Berisha, në Shqipëri është shtrenjtësuar në mënyrë të llahatarshme niveli i jetesës dhe se ka rënë fuqia blerëse e familjeve shqiptare. Rama tha se si rezultat i kësaj qeverisje të dështuar produktet jetësore si buka, vaji, orizi, sheqeri, energjia elektrike dhe nafta janë rritur më shumë se sa 50% dhe se buxheti i fundit i qeverisë Berisha nuk garanton të ardhurat për familjet e thjeshta shqiptare. “Të dhënat zyrtare, jo përllogaritjet tona si opozitë, tregojnë që një familje normale ka nevojë, vetëm për të jetuar, mesatarisht për 750 mijë lekë të vjetra në muaj. Buxheti i fundit i Sali Berishës nuk i garanton, për familjen shqiptare ku të dy prindërit punojnë, 750 mijë lekët të vjetra të nevojshme për jetesën e përditshme. Buxheti i fundit i Sali Berishës nuk i garanton të ardhurat që duhen vetëm për të jetuar as për mësuesit, të cilëve Sali Berisha u këndon këngën e bollëkut duke iu përmendur rritjen e rrogave, ndërkohë që u merr pagën e 13-të dhe i detyron të paguajnë prej famëkeqes taksë të sheshtë 9 herë më shumë tatim mbi pagën sesa në vitin 2005 – pra më shumë se një rrogë mujore në vit”, tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Pensionet
Kreu i PS-së i cilësoi të turpshme deklaratat e Berishës, sipoas të cilit janë dyfishuar pensionet në qytet. Rama tha se të ardhurat e pensionistëve janë të pamjaftueshme, dhe buxheti i qeverisë Berisha nuk u garanton atyre as mbijetesën. “Buxheti i fundit i Sali Berishës konfirmon se për 280 mijë pensionistë të qytetit premtimi i vitit 2005 për dyfishim të pensionit, do të mbetet vetëm njëra nga shumë gënjeshtrat tallëse të këtij kryeministri të paturpshëm në zanatin e gënjeshtarit. Vetëm për të jetuar, sot një çift pensionistësh të qytetit kanë nevojë të paktën edhe për një pension të tretë në muaj.
Arsimi
Kreu i PS-së ka kritikuar edhe mungesën e pakët që garanton buxheti i qeverisë Berisha në një sektor shumë të rëndësishëm si ai i arsimit. Rama tha se qeveria Berisha nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar këtë sektor, duke mos mbajtur premtimet e saj. “Buxheti i fundit i Sali Berishës thotë se prindërit e 500 mijë fëmijëve në arsimin bazë do të duhet t'i blejnë librat e fëmijëve të tyre, pavarësisht faktit se mijëra e mijëra fëmijë të tjerë mund të mbeten kësisoj pa shkollë, pikërisht sepse varfëria i pengon prindërit t'u blejnë librat. Duke subvencionuar vetëm 25 % të kostos së librave dhe mos marrë asnjë masë serioze kundër analfabetizmit në rritje, Sali Berisha duket edhe më sharlatan se ç'është kur thotë se do çojë internetin në çdo shtëpi. Buxheti i fundit i Sali Berishës tregon se prindërit që do të çojnë fëmijët në shkolla jopublike do të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar dhe se kryeministri që premton lehtësira për arsimin jopublik është thjesht gënjeshtari që të gjithë ne njohim”, tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Rama zgjidhet Kryetari i Komisionit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në mbledhjen e fundit të Këshillit të Internacionales Socialiste, është zgjedhur Kryetari i Komisionit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste. Lajmi është bërë i ditur nga Sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PS, Arta Dade. Sipas Dades kjo detyrë i është ngarkuar Ramës nga Internacionalja Socialiste, pas një përvoje tejet pozitive të tij në krye të Partisë Socialiste Shqiptare. “Kjo detyrë i është ngarkuar z. Rama pas një përvoje tejet pozitive në drejtim të Partisë Socialiste duke sjellë risi, në të majtën europiane, sic është rasti i aplikimit me sukses të parimit një anëtarë një votë, dihet që z. Rama është zgjedhur përmes këtij parimi duke e hapur partinë drejt shoqërisë civile, duke ofruar mjaft të rinj dhe duke përcaktuar kuota, dhe jo vetëm për përfaqësimin e grave, por edhe për përfaqësimin e të rinjve. Zoti Rama me një vizion bashkëkohor dhe modern në politikën shqiptare, ka ofruar modele larg konfliktualitetit, i cili ka qenë i pranishëm për një periudhë të gjatë dhe ka dëmtuar interesat madhore të vendit. Ai ka aplikuar politikën e konsensusit për reformat madhore, të cilat i kalojnë kufijtë partiak, por gjithashtu duke punuar dhe duke sjell risi edhe në hartimin e platformave politike, apo elektorale, siç është rasti i Dialogut me Shqipërinë”, tha Dade.
22 Nentor 2008