E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Anëtarësimi në NATO u përket të gjithë shqiptarëve

Lideri i LSI, bashkëbisedim me studentët e Universitetit Europian të Tiranës
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një bashkëbisedim me të rinjtë e Universitetit Europian të Tiranës, i cili u ndal kryesisht, në angazhimin e të rinjve në politikë, krijimin e më shumë hapësirave për punësimin e të rinjve dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Kreu i LSI, Meta ftoi të rinjtë të angazhohen në politikë, të marrin më shumë përgjegjësi dhe të bashkohen, duke qenë se kështu ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe do të përmbushin aspiratat e tyre për më shumë punësim. Kreu i LSI theksoi faktin se, tashmë është Koha për Veprim për të rinjtë shqiptarë. Për të rinjtë shqiptarë, tha Meta, duhet veprim për më shumë vende të reja pune, veprim për të krijuar më shumë mundësi, për të krijuar një sistem edukues të drejtë që do tju sigurojë atyre punësim e zhvillim profesional. Sipas kreut të LSI, të rinjtë shqiptarë meritojnë veprim dhe jo fjalë boshe, ata meritojnë atë lloj drejtimi që do të ndërmarrë veprime konkrete për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen. Meta u shpreh se, personalisht gjithmonë ka investuar për ti promovuar të rinj në politikë, duke qenë se edhe vetë e ka nisur angazhimin e tij në politikë shumë i ri. Ne, tha kreu i LSI, nuk i kufizojmë të rinjtë. Kemi bërë çdo gjë, dhe me LSI, për ti dhënë prioritet dhe për të mbështetur të rinjtë. LRI është një nga organizatat më aktive në Shqipëri, e cila nuk është prezente vetëm në kohë fushatash, por është në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha drejtimet, që nga problemet e arsimit, mjedisit, etj. Ne nuk përpiqemi që ti frenojmë të rinjtë, ti themi angazhohuni dhe afirmohuni deri në një nivel të caktuar, sepse pastaj na krijoni një shqetësim. Ne nuk kemi kufij për të rinjtë, tha Meta, duke theksuar se çdo i ri duhet të kërkojë çdo ditë më shumë nga vetja, duhet të përmirësohet, për të ecur përpara. Meta inkurajoi të rinjtë të vihen në veprim, të identifikojnë forcën e tyre, e cila është e madhe, për tu bashkuar dhe për tu faktorizuar, për tu imponuar edhe në politikë. Sepse kur të rinjtë bëhen bashkë, forca e tyre është e papërmbajtshme, tha Meta, duke shprehur bindjen se është momenti që të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi. Jam i bindur se është momenti që të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi. Do ju ftoja të angazhoheni në politikë, kudo, në forca ta majta apo të djathta, të loboni, të afirmoheni që nesër të jeni në vendimmarrje, sepse përndryshe do të jeni dekor i politikës, që sdo marrë përsipër realizimin e aspiratave tuaja, për arsim e për punësimin, tha ai.
Integrimi në NATO dhe BE
Në bashkëbisedimin e tij me të rinjtë e Universitetit Europian të Tiranës, lideri i LSI u ndal edhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Përsa i përket integrimit në NATO, Meta shprehu kënaqësinë për këtë ngjarje historike për Shqipërinë, por kritikoi faktin se për këtë anëtarësim që i përket të gjithë shqiptarëve, opozitës dhe mazhorancës, festimet ishin të ndara, pasi u bënë dy mitingje të ndryshme. Në këtë drejtim, kreu i LSI shprehu shqetësimin se çështja e integrimit është konsideruar dhe konsiderohet nga politika si një sfidë për të marrë merita, dhe jo si një detyrim që Shqipëria të arrijë standardet dhe që këtë ta ndiejë çdo familje shqiptare. Kam një shqetësim të madh që shpesh çështja e integrimit konsiderohet dhe është konsideruar nga politika si një sfidë për të bërë fotografi, për të bërë festa, për të marrë merita secili për vete dhe nuk është konceptuar si një detyrim, si një mundësi, si një sfidë, që Shqipëria të arrijë standarde më të larta dhe që çdo shqiptar këtë gjë ta ndiejë në familjen e tij, në tavolinën e tij, në xhepin e tij dhe në klimën shoqërore, tha Meta, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO, pasi kjo do të thotë më shumë liri, më shumë siguri, më pak rreziqe nga jashtë, më shumë besim për investitorët e huaj për të investuar në Shqipërisë. Megjithatë, kreu i LSI i kujtoi qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit se flamuri i Shqipërisë gjendet në listën e zezë përsa i përket transportit detar ndërkombëtar, së bashku me Bolivinë. Kjo ndodh për faktin se Qeveria, me politikat e saj, nuk krijon kushte për zhvillimin e biznesit të transportit detar. Sipas kreut të LSI, sot është e nevojshme që të ketë një rikonceptim të procesit të integrimit, në mënyrë që të fitohet sa më shumë nga ky proces, të shëndoshet ekonomia e vendit dhe ekonomia e çdo familjeje shqiptare. Të krijojmë më shumë hapësira dhe perspektivë për të punuar, për të jetuar në vendin tonë dhe një klimë shumë optimiste e pozitive se sa deri tani për biznesin, pasi kjo është e rëndësishme në një vend ku sektori privat është dominues dhe partneriteti i shtetit e qeverisë me biznesin është i domosdoshëm. Në mënyrë që jo vetëm biznesi të jetë më optimist dhe i inkurajuar për të ndërmarrë iniciativa të suksesshme që çojnë para ekonominë e vendi, që rrisin punësimin e shqiptarëve, njëkohësisht që qytetarët të ndjehen gjithnjë e më të sigurt nga një Qeveri që merr përgjegjësitë e saj, u shpreh kreu i LSI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›