E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarëve për pagesat

Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e kërkesës së 2-të të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Ata e cilësojnë si antikushtetueses atë pjesë të ligjit që cilëson mënyrën e pagesës së gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë për Krime të rënda, pasi sipas tyre cënohet parimi i pavarësisë ekonomike. Unioni kërkon që gjykata të "shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën të një pjesë "të ligjit Mbi Organizimin e pushtetit gjyqësor për pagat e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda, sipas së cilës ajo është e barabartë me 50% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe fjalëve "mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10%". Përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtareve, Sandër Simoni e Luan Hasneziri argumentuan para Gjykatës Kushtetuese se ligji "për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", me dy fjalitë e sipërpërmendura cënon parimin e sigurisë ekonomike dhe nenin 138 kushtetues që sanksionon se "pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen". Ata mbrojtën dhe statusin e veçante që ligji iu njeh gjyqtarëve të gjykatës për kime të rënda. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë kërkoi rrëzimin e kërkesës, duke argumentuar se ajo ishte e pabazuar në ligj dhe fakte. Kurse përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Mimoza Dhembi sqaroi para Gjykatës Kushtetuese se ligji i ri ka patur si qëllim krijimin e një hierarkie pagash, bazuar në kriterin e karrierës dhe sigurimin e rritjes se mëtejshme të pagës për gjyqtarët. Ajo pranoi se ligji i ri prek disa paga gjyqtarësh të krimeve të rënda, por sipas saj numri i tyre është shumë i vogël në raport me përfituesit e tjerë në radhët e sistemit gjyqësor. Kërkesa e radhës së Unionit është e dyta për këtë organizatë. Unioni i gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ankimuar para gjykatës kushtetuese ligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe për lejet vjetore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›