“Këshilltarët e PD nuk mund të votojnë Koço-buxhetin”

Reagon Partia Demokratike, pas polemikave të Edvinit, të ndalur në tentativën për shpërdorimin e taksave të kryeqytetit
TIRANE - Partia Demokratike deklaroi dje, duke iu kundërpërgjigjur kreut të Bashkisë Edi Rama, i cili hodhi akuza të shumta lidhur me rrëzimin e buxhetit të vitit 2009 për Bashkinë e Tiranës, se në vend që të japë dorëheqjen sepse hyri në histori jo të Shqipërisë, por të Evropës, si drejtuesi i vetëm i një Bashkie kryeqyteti buxhet-rrëzuar, ndërmerr akuza, shpifje dhe trillime ndaj këshilltarëve që nuk i votuan buxhetin 2009-të.
Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani, u shpreh se “këshilltarët e Partisë Demokratike nuk e votuan dhe nuk do ta votojnë Koço-buxhetin e vitit 2009, pasi ai ishte hartuar i tëri për të mbushur xhepat e Koços dhe si-Koçove të tjerë dhe jo për të ngrohur shkollat e fëmijëve të Tiranës, jo për të ngritur shkolla të reja, jo për të ngritur qendra sociale, apo nxitur përmirësimin e punës në këtë qytet”.
Sipas tij, këshilltarët e Partisë Demokratike votuan kundër buxhetit të Kokëdhimës, sepse të gjithë paratë ishin dërguar vetëm në minibashkitë e Partisë Socialiste dhe ishin përjashtuar nga buxheti 80 % e territorit të Tiranës sepse nuk qeveriset nga minibashki socialiste alla-Rama.
Bogdani bëri të ditur se “këshilltarët e Partisë Demokratike hodhën poshtë dhe nuk do të votojnë buxhetin Rama-Kokëdhima sepse ai përjashton nga investimet zonat më të varfra të kryeqytetit dhe parashikon rikonstruksionin e rrugëve të rindërtuara tre vjet më parë”.
Ai vuri në dukje më tej se këshilltarët nuk do të votojnë buxhetin Rama-Koço, sepse rreth 20 % e tij është përkushtuar vetëm fushatës elektorale të Ramës në zgjedhjet e ardhshme.
“Këshilltarët e Partisë Demokratike nuk e votojnë buxhetin Rama-Koço, sepse në një akt të pashembullt në historinë e një buxheti, hartuesi i tij nuk guxoi të vinte dhe te mbronte buxhetin në Këshillin Bashkiak”.
Më tej, zëdhënësi i Partisë Demokratike tha se “Rama në vend të shqyrtonte buxhetin në Këshillin Bashkiak, zgjodhi t’u rikujtojë shqiptarëve një akt gjysëm-dajës së tij, Sofo Lazrit, i cili në një kohë kur vendi vuante nga uria, kthehej me çmimin ndërkombëtar të ushqimit”.
Reagimi i PD-ës, erdhi dje pas apelit të dëshpëruar të Kryebashkiakut Edi Rama, për kalimin e projektbuxhetit të tij fasadë.
Katër ditë pas rrëzimit të projektbuxhetit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka dalë përpara mediave për të sulmuar personalisht krerët e PD-së dhe LSI-së, Berisha dhe Meta, duke i akuzuar ata për bashkim të votave sipas kryesocialistitit Rama “kundër interesave të qytetarëve të Tiranës”. Për Ramën, projektbuxhetin e tij nuk e rrezuan defektet teknike, por defektet “politike”.
Ndërkohë, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj deklaratave të dy ditëve më parë të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi në lidhje me sistemin
e ngrohjes në shkollat 9-vjeçare dhe te mesme të kryeqytetit.