E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndeti sot nënshkrimin e MSA-së nga parlamenti greki


Pas vendimit të parlamentit grek ditën e djeshme në mbrëmje për të miratuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, ka reaguar Ministria e Jashtme në Tiranë, e cila ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes. Në deklaratë të shpërndarë në orët e para të mëngjesit të sotëm, ajo e ka cilësuar atë si "dëshmi të qartë të mbështetjes që Greqia fqinje, ashtu si dhe vendet e tjera komunitare mike i japin kursit të reformave të ndërmarra në vend, si dhe një inkurajim i fuqishëm për thellimin e tyre në të ardhmen. Shprehim bindjen se fryma  e bashkëpunimit, në kuadrin e përkatësisë së përbashkët në familjen evropiane, do të kontribuojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke, në forcimin e miqësisë mes popujve tanë, në dobi të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajon”, thuhet në komunikatën zyrtare. Sipas Ministrisë së Jashtme, me ratifikimin nga shteti Helen të MSA-së përfunduan të gjitha procedurat e ratifikimit të Marrëveshjes nga vendet anëtare, duke i hapur rrugë, tashmë, hyrjes në fuqi të MSA-së. “Ministria e Punëve të Jashtme përfiton nga rasti për t’i shprehur mirënjohjen Shteteve anëtare për ratifikimin e MSA-së dhe shpreh besimin në mbështetjen që këto vende do t’i japin Shqipërisë, për tu bërë sa më shpejt pjesë e familjes së madhe evropiane”, përfundon deklarata e ministrisë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›