E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Autostrada nuk ishte ide e Berishës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, udhëtoi drejt Kukësit për të hapur fushatën elektorale dhe prezantoi atje kandidatët për deputetë të kësaj force politike dhe koalicionit "Aleanca Socialiste për Integrim". Boshtin e fjalës së tij e përbënte nevoja e ndryshimit të qeverisjes së vendit. Duke paraqitur përpara kuksianëve kandidatët e kësaj force politike, përkatësisht biznesmenin e njohur Zef Maroçi, ish-perfektin e Kukësit Qemal Elezi dhe kandidaturat e tjera, Meta shpalosi pikat kryesore të programit elektoral të forcës politike që kryeson. "Punësimi, ulja e varfërisë, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimi i sektorëve të ekonomisë dhe një qeverisje transparente janë të mundshme të realizohen vetëm me fitoren e LSI-së në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë", tha në fjalën e tij Meta. Ndërsa, lidhur me autostradën Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë, ai tha se përbën boshtin e bashkimit të kombit, duke e cilësuar si arterie të rëndësishme ekonomike. Megjithatë, Ilir Meta nuk pajtohej me cilësimin si "rruga Berisha", pasi, siç tha: "Kjo rrugë nuk ishte ide e Berishës, por e paraardhësve të tij. Me autostradën Shqipëria ka shanse të bëhet e zhvilluar si Zvicra, dhe kjo do të bëhej realitet me LSI-në në pushtet", vlerësoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›