Meta: BE-ja vlerësim realist, politika të bashkëpunojë për 3 reformat e tjera

Kreu i LSI përshëndet marrjen e statusit të vendit kandidat
Lëvizja Socialiste për Integrim, aleate e Partisë Demokratike, përshëndeti raportin e Komisionit Europian, duke i bërë thirrje klasës politike që të plotësojë dhe tri reformat e mbetur pezull, atë parlamentare, atë në administratën publike dhe në drejtësi.
Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, e konsideroi raportin e KE-së një sukses historik për vendin, “një sukses i cili duhet të ishte arritur edhe më parë, megjithatë është një sukses i cili ka nevojë të plotësohet më tej në javët që vijnë me përmbushjen e tre rekomandimeve siç është reforma për rregulloren parlamentare, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe ai për statusin e nëpunësit civil”.
Ai vlerësoi pozitivitetin, me të cilin Komisioni Europian ka parë zhvillimet e viteve të fundit në Shqipëri, një progres i arritur fal bashkëpunimit në Parlament, por edhe jashtë tij, në përmbushjen e shumë detyrimeve të rëndësishme dhe substanciale.
“Vlerësoj pozitivitetin me të cilin Komisioni Europian i ka parë zhvillimet e vitit të fundit në Shqipëri, vlerësimin realist që ka bërë për progresin e bashkëpunimit të arritur në Parlament por edhe jashtë tij në përmbushjen e shumë detyrimeve të rëndësishme dhe substanciale ashtu sikurse është inkurajim që KE i ka bërë vendin tonë përmes këtij vlerësimi pozitiv, por njëkohësisht dhe përmes dhënies së mundësisë që përmes javëve të ardhshme të plotësohen edhe tre detyrimet të tjera në mënyrë që vendet anëtare në dhjetor, t’i thonë po përfundimisht statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, deklaroi Meta.
Duke e cilësuar këtë ngjarje si një arritje e të gjithë aktorëve politik brenda vendit, Meta theksoi së edhe pse i vonuar, “ky është një hap i rëndësishëm, historik dhe apeloj përsëri për të mos u vonuar më tej në mënyrë që të lehtësojmë vendimmarrjen e vendeve anëtare të BE-së gjatë muajit dhjetor për Shqipërinë”, përfundoi kreu i LSI.