BE: Greva të mos përdoret politikisht - rastet e kompensimit, vetëm sipas planit të miratuar më 2007-n
Reagon Brukseli, pas akteve zjarrvënëse në Grevën e ish-të përndjekurve politikë
Bashkimi Evropian reagon rreth incidenteve gjatë grevës së urisë nga një grup ish-të persekutuarish dhe ish-të burgosurish politikë më 8 dhe 10 tetor 2012 në Tiranë. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri thekson se BE shpreh keqardhje për incidentet e fundit gjatë grevës së urisë. Deklarata e BE i bën thirrje klasës politike të mos e shfrytëzojë këtë situatë për qëllime politike. “Delegacioni i BE-së shpreh keqardhjen dhe shqetësimin në vijim të incidenteve serioze që ndodhën më 8 dhe 10 tetor gjatë grevës së urisë nga një grup ish-të persekutuarish dhe ish-të burgosurish politikë. Delegacioni i BE-së u bën thirrje palëve të mos e shfrytëzojnë këtë situatë të dhimbshme për qëllime politike”- thuhet në reagimin e BE. Sa i takon dëmshpërblimit të ish të përndjekurve, Bashkimi Evropian thekson se për këtë qëllim ekziston plani i kompensimit i miratuar në vitin 2007. “Delegacioni i BE-së mban shënim ekzistencën e planit të kompensimit sipas ligjit të vitit 2007 dhe bën thirrje për dialog për të trajtuar rastet individuale të cilat ky plan nuk i zgjidh”, thuhet më tej në deklaratën e Bashkimit Evropian rreth grevës së urisë të ish të dënuarve politik. Berisha: Greva është mirëfilltas politike, por do rriten masat e sigurisë Pas pyetjeve, lidhur me ndjesinë që pati kur mësoi që, në momentin që Shqipëria merrte statusin e kandidatit, një ish i burgosur politik, në grevë, i vuri flakën vetes dhe a është ky një moment që ju të rishihni edhe njëherë qëndrimin tuaj dhe të ri-negocioni me ta, kryeministri Berisha u përgjigj: “Në momentin që mora lajmin se Komisioni u rekomandoi vendeve anëtare, Shqipërinë, për dhënien e statusit, ishte moment i rëndësishëm dhe ishte vendim historik që komisioni ka marrë. Për këtë, unë i shpreh mirënjohjen më të thellë. Së dyti, duhet të dini një gjë; jo një i vuajtur në burgjet e diktaturës, por lëndimi, vuajtja e sakrifica e çdo njeriu, më lëndon thellë. Gjëja e parë që kam bërë, ka qenë kërkesa ndaj ministrit të Shëndetësisë që të tregohet përkujdes maksimal për të. Ky është qëndrimi ynë. Unë dua të them këtu se sigurimi i grevës dhe i kushteve të saj, në rastin e dytë, ka qenë jo në lartësinë e duhur dhe duhet të nxirren përgjegjësitë. Në rastin e djegies së parë, ai që i vuri zjarrin shokut të tij të grevës, është një kriminel që duhet të përballet me të gjithë rreptësinë e ligjeve. Rasti i dytë, duhej të mbrohej. Ka pasur një shkelje mbrëmë dhe është futur në mjediset e grevës benzinë bashkë me ujin, çka nuk do të mund të ndodhë më. Tani, meqenëse më shtron këtë pyetje, për ju e për shqiptarët, unë do të jap këtë përgjigje; Që nga dita e themelimit të PD-së, në axhendën e saj më të parë ka qenë lirimi i të burgosurve, dhe më pas, në pushtet, mbështetja e tyre. Sigurisht, në një vend si Shqipëria që niste këtë rrugë me standardin 204 dollarë për frymë, mundësitë ishin të kufizuara. Por standardet që ne vendosëm në qëndrimin ndaj të persekutuarve dhe të dënuarve, ishin më të gjëra e më të larta se në çdo vend tjetër të Evropës. Për këtë kemi bërë mirë sepse ata e meritonin plotësisht. Më lejonin t’ju bëj me dije se dëmshpërblimi për ditën e burgut është vlerësuar me 18.6 dollarë. Po të pyesni prindërit tuaj, në qoftë se ata jetojnë në fshat, do t’u tregojnë juve se në atë kohë, ata shpërbleheshin me kursin zyrtar për ditën e punës tek 30 cent, por me kursin real, pothuaj 10 herë më pak. Në qoftë se prindërit tuaj punonin në uzinat e vendit, ata shpërbleheshin me kursin zyrtar 30 -40 dollarë në muaj, por me kursin real duhet ta pjesëtosh për dhjetë. E kështu me radhë. Por ne për të përndjekurit kemi vendosur këtë normë dhe ata e meritojnë plotësisht. Gjatë qeverisjes sonë të parë dhe kësaj qeverisjeje, ne jemi përpjekur të bëjmë këto; Kësaj shtrese të stërvuajtur ne u kemi disbursuar mbi 100 milionë dollarë lekë, si dhe lekë privatizimi, të cilat kanë pasur vlerë identike me lekun. Krahas këtyre, u kemi dhënë në mënyrën më të merituar 2000 apartamente banimi dhe ndoshta edhe më shumë dhe nga këto, asnjë nga qeveria socialiste. Edhe nga lekët e privatizimit, as edhe një i vetëm nuk është dhënë nga qeveria socialiste. U krijua një distancë 8 vjeçare ku ata u lanë në fatin e tyre. Vazhdojmë edhe më tutje; në qeverisjen e para dhe gjatë këtyre viteve, 20 mijë vajza e djem të kësaj shtrese, kanë marrë bursa ose u janë paguar shpenzimet e universiteteve dhe vazhdojnë edhe sot. Së fundi, për sa u përket lekëve të privatizimit që unë fola më parë, një pjesë e tyre, rreth 700 milionë lekë, janë përdorur për aksione, kurse 3.8 miliardë janë përdorur për të blerë me çmime simbolike, 2763 sipërmarrje, ndër to fabrika e ndërmarrje nga më të ndryshme, të atij standardi që ekzistonin. Le të marrim rastin e zotit Ndreca, të cilit unë i uroj shërim të shpejtë; ka marrë fabrikën e miellit në Laç, ka marrë kredi të butë me ndërmjetësim për fermën e derrave. Fabrikën, ka marrë kredi, nuk ka paguar dot bankën dhe banka ia ka marrë. Pra, unë nuk them se këtu nuk ka të vërteta të hidhura, por besoj se shoqëria shqiptare, nëpërmjet kësaj mazhorance dhe qeverisjes së parë, në mënyrë dinjitoze i ka qëndruar këtij problemi dhe do t’i qëndrojë. Greva ka aspekt politik, por absolutisht ajo do të respektohet dhe gjëja që do të bëhet është se ata do të sigurohen më mirë, sepse siguria e tyre duhet të garantohet. Protesta e tyre është mirëfilltas politike, por kjo është një zgjidhje e tyre të cilën unë e respektoj”.
...