E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bashkëpunimi PD-PS rrezikon zgjedhjet e 2009

 

LSI paralajmëron rrezikun që vjen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryetari i saj, Ilir Meta, tha dje se zgjedhjet janë të rrezikuara. "Të dyja partitë e vjetra dhe përfaqësuesit e tyre nuk synojnë standarde më të larta për zgjedhjet e ardhshme, por ta zvarrisin këtë reformë, sikurse e kanë bërë", u shpreh Meta. Duke i cilësuar të qëllimshme vonesat në përfundimin e Kodit Zgjedhor, Meta tha se mungesa e transparencës në punën e këtij komisioni tregon frikën nga konkurrenca që kanë dy partitë e vjetra nga partitë e tjera. "Së pari, nga mungesa e transparencës së përfaqësuesve të PD dhe PS, e të gjithë funksionimit të deritanishëm të Komisionit për Reformën zgjedhore. Së dyti, nga frika e përfaqësuesve të PD dhe PS për të përballuar një konkurrencë të hapur e të ndershme politike", tha Meta. Sipas tij, kjo mungesë transparence shoqërohet dhe me censurë në media. "Ju mund të shikoni edhe vetë media të caktuara, të cilat ushtrojnë një censurë krejtësisht të porositur dhe të komisionuara, në raste të caktuara nga Qeveria, në raste të caktuara nga Bashkia e Tiranës, dhe po kështu ju mund të vëreni edhe faktin që për shtyrjen e reformës ka konsensus nga të dyja këto forca politike. Pra, nuk ka shqetësim për të sjellë në kohë atë produkt që do të evitonte, jo vetëm kontestimet e deritanishme, por edhe të mundshme, që me sa duket për fat të keq do të ekzistojnë". Kreu i LSI-së e konsideroi të pamundur procesin e përgatitjes së kartave të identitetit nga qeveria. "Për të mos folur më tej për faktin që kartat e identitetit do jetë e pamundur që të prodhohen dhe të shpërndahen deri në zgjedhjet e ardhshme, dhe mjaft mangësi të tjera që i ka prodhuar vonesa e qëllimshme PD-PS e gjithë procesit zgjedhor të deritanishëm", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›