Vendimi, mund të përgjojë edhe Ministria e Financave
ADI SHKEMBI
Ministria e Financave futet në listën e institucioneve të cilat mund të kërkojnë nga Prokuroria e Përgjithshme të kryejnë përgjime. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratua një projekt-vendim i propozuar nga Ministria e Financave, i cili i lejon kësaj të fundit të jetë në krah të një sërë institucionesh të tjera për kryerjen e përgjimeve. Kështu në pikën 1 të nenit 6 të ligjit "Për përgjimin e telekomunikacioneve" shtohet një fjali që i shton kompetencat dikasterit të drejtuar nga Ritvan Bode. "Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të Policisë Gjyqësore, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore", thuhet në amendimin që i është bërë nenit 6 me titull "Organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit". Ndërsa në nenin 8 me titull "dhënia e të drejtës për përgjim" bëhet një tjetër shtesë ku thuhet se, "Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë, ministrit që ka në varësi shërbime informative/ policore, që ushtrojnë funksione të Policisë Gjyqësore, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve te telekomunikacionit".
Relacioni
Sipas materialit shpjegues të këtij projekt-vendimi të hartuar nga Ministria e Financave, në nenin 6 parashikohej që SHISH, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Mbrojtjes si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. "Në këtë kontekst, duke pasur në konsideratë faktin që ministri i Financave ka në dispozicion të tij forca policore, të cilat veprojnë me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore, të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit, për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore", thuhet në relacionin e këtij pr.vendimi. Sipas Bodes, miratimi i këtij ndryshimi në ligjin për përgjimet e telekomunikacioneve do të sjellë një luftë më të ashpër dhe konkrete ndaj evazionit tatimor dhe doganor si dhe ndaj personave përfaqësues të shtetit që punojnë në organet e mbledhjes së të ardhurave që mund t'i sjellin dëme buxhetit të shtetit me veprimtarinë e tyre në mënyrë direkte ose indirekte në kundërshtim me ligjin.