E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Bashkëpunimi PS-PD po cenon zgjedhjet

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në rrezik. Ky është paralajmërimi i bërë dje nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij, Komisioni për Reformën Zgjedhore po funksionon në një mungesë të plotë transparence, së pari në komunikimin me opinionin publik dhe me median. Pra, shtoi ai, në shumë aktivitete dhe diskutime që bëhen në këtë komision, mediat nuk kanë qenë të pranishme. "Kjo gjë tregon qartë se të dyja partitë e vjetra dhe përfaqësuesit e tyre nuk synojnë standarde më të larta në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, por thjesht të shtyjnë sa më shumë, ta zvarrisin këtë reformë", u shpreh Meta. Ai këmbënguli se këto dy parti vijojnë përsëri, me qëllim që të ecin me politikën e vjetër të faktit të kryer, gjë që është paralajmëruar disa herë se do të ndëshkohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë vërtet shumë të shqetësuar për lojërat që përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së, synojnë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme. "Për mendimin tim, zgjedhjet janë të rrezikuara. Nga mungesa e transparencës së përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, e të gjithë funksionimit të deritanishëm të Komisionit për Reformën Zgjedhore", u shpreh Meta. Së dyti, vijoi ai, nga frika e përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së për të përballuar një konkurrencë të hapur e të ndershme politike. LSI-ja mendon se nuk ka shqetësim për të sjellë në kohë atë produkt që do të shmangte, jo vetëm kontestimet e deritanishme, por edhe të mundshme, që me sa duket, për fat të keq, do të ekzistojnë. Meta konstatoi se heqja e KQZ nga Kushtetuta, si një institucion kushtetues, nuk ishte gjë tjetër veçse një goditje ndaj zgjedhjeve në vend. "Duket që kjo ka qenë një lëvizje me tendencën për të monopolizuar krejtësisht këtë institucion. Tashmë kuptohet që debati se si do të vendoset dhe se si do të jetë KQZ ka sjellë problemet e tij", theksoi Meta. Ne, insistoi Meta, mendojmë se, në çdo rast, KQZ duhet të jetë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se në çdo rast një KQZ PD-PS është një KQZ e paligjshme. "Sepse, dua t‘ju kujtoj juve dhe të gjithë opinionit publik se në zgjedhjet e fundit të përgjithshme vendore, PD dhe PS së bashku kanë marrë 43 për qind të votave të qytetarëve shqiptarë", ironizoi ai. Pra, u shpreh ish-kryeministri, të ashtuquajturat parti të mëdha, padyshim që të dyja së bashku, kanë përfaqësuar më pak se sa gjysmën e votuesve shqiptarë. "Ndaj dhe çdo përpjekje e tyre për të monopolizuar procesin e administrimit të zgjedhjeve padyshim që i konteston zgjedhjet që tani dhe krijon probleme serioze për stabilitetin e vendit", nënvizoi kreu i LSI-së. Për të mos folur më tej, sipas tij, për faktin që kartat e identitetit nuk do të mund që të prodhohen dhe të shpërndahen deri në zgjedhjet e ardhshme dhe shumë mangësi të tjera që i ka prodhuar vonesa e qëllimshme PD-PS të gjithë procesit zgjedhor të deritanishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›