Luan Rama: Ligji për median, mbështesim OSBE
Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Luan Rama, deklaroi dje se bashkohet me shqetësimin e ligjshëm dhe të përsëritur të OSBE-së për draftin e ligjit "Për Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit". "Ai, jo vetëm nuk siguron pavarësinë e këtyre institucioneve, jo vetëm nuk zgjidh problemet e shfaqura në proces dhe jo vetëm nuk u paraprin zhvillimeve të ardhshme të tregut mediatik, por synon rikthimin e tyre në rrjetin e kapur dhe të kontrolluar prej pushtetit", u shpreh Rama. Për t‘i përdorur, tha ai, si instrumente shërbimi dhe manipulimi të opinionit për zgjedhjet e ardhshme politike. LSI-ja i kërkon publikisht Komisionit Kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përmes një procesi transparent dhe në bashkëpunim institucional me aktorët e interesit. "Pavarësia e institucioneve mediatike dhe e trupave ligjore që monitorojnë veprimtarinë e tyre është një arritje e madhe që duhet mbrojtur, që duhet konsoliduar dhe që duhet ridimensionuar më tej", theksoi Rama.