Ulen me 20 për qind tarifat e universiteteve
Tarifat për të gjitha programet e studimeve të larta të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë, për vitin akademik 2008-2009 do të ulen me 20 për qind. Një vendim i tillë është miratuar dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Po dje, qeveria ka miratuar edhe një sërë vendimesh për hapjen e programeve të studimeve master i nivelit të parë dhe i nivelit të dytë për vitin akademik 2008-2009, në disa universitete publike të vendit, si në Universitetin Bujqësor në Kamzë, "Eqrem Çabej" në Gjirokastër, "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, "Fan Noli" në Korçë, "Ismail Qemali" në Vlorë, si dhe në universitetin shtetëror të Tiranës. Pak kohë më parë, qeveria miratoi një vendim për një shtesë prej rreth 900 vendesh të reja pune në universitetet publike për të diplomuarit me gradën doktoraturë dhe master në universitete perëndimore. Janë plot 30 pedagogë të rinj, të cilët do të bëjnë pjesë në stafin akademik të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ata u prezantuan dje në ambientet e rektoratit të UT-së. Profesorët e rinj u përzgjodhën pas një konkursi të hapur të organizuar nga UT që në mesin e muajit gusht. Për më shumë se një muaj, kandidatët për vendet e lira në UT dorëzuan dosjet me CV-të dhe eksperiencat e tjera të domosdoshme për këtë konkurrim. Pas seleksionimit të parë, ata iu nënshtruan edhe intervistave nga komisionet e posaçme në fakultetet ku kishin aplikuar. Universiteti i Tiranës shpalli konkursin për 160 vende të lira për pedagogë të rinj. Rektori i UT-së, Dhori Kule, u shpreh se shpërndarja e tyre është bërë në përputhje me kërkesat e vetë drejtuesve të fakulteteve. Juridiku është konsideruar si prioritari për sa i përket numrit më të madh të pranimit të profesorëve të rinj. Kjo, edhe për shkak të numrit të madh të studentëve që i bashkëngjiten çdo vit auditorëve të Fakultetit të Drejtësisë.