E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet pylli, policia nuk ndërhyn

Çdo një orë në pyllin e Gurit të Nikës në Mokër kalojnë minimumi nga pesë kamionë të ngarkuar me trupa drurësh, të cilët priten në mënyrë të paligjshme. Gjatë dy orëve që grupi i xhirimit të "Fiks Fare" qëndroi në këtë zonë, në Qafën e Panjës, filmoi 15 kamionë të ngarkuar me dru. Në të gjithë zonën e pyllit të Gurit të Nikës nuk ka mbetur më asnjë pemë bredhi në këmbë. Po kështu është dëmtuar shumë edhe ahu. Nëse vazhdojnë prerjet me këto ritme, sipas specialistëve të pyjores, brenda 6 muajve në këtë zonë nuk do të ketë më asnjë pemë. Problemin e shfarosjes së pemës së bredhit dhe të gjithë pyllit në Gurin e Nikës, e ngriti një qytetar, të cilin Drejtoria e Pyjores së Pogradecit kërkon t‘ia dorëzojë pronën, sikur është pyll me pemë, ndërkohë që nuk ka mbetur më asnjë pemë në këmbë. Drejtoria e Pyjores së Pogradecit e di që atje priten pemë ditën e natën, por nuk ndërhyn, pretendon qytetari që ankohet në "Fiks Fare". E në të vërtetë të gjithë e shohin masakrën që po i bëhet atij pylli, vetëm drejtuesit e pyjores së Pogradecit, rojtarët dhe policët nuk e shohin. Madje, gjatë një bisede që vetë pronari i pyllit bën me një nga inspektorët e policisë pyjore të Pogradecit, Zalo Meçe, ky i fundit e pranon se policia pyjore është në dijeni të masakrës që po i bëhet pyllit të Gurit të Nikës. "Atje janë 100 vetë që punojnë, ne katër rojtarë kemi, nuk e ndalojmë dot ne se kaq mundësi kemi. Shko dhe ruaje vetë pyllin". Me këto fjalë inspektori që duhet të ndalojë prerjet e paligjshme të pemëve, mbyll bisedën me qytetarin që shkon të denoncojë këtë masakër.

Bisedë me Zalo Meçen, inspektor i policisë pyjore, Pogradec

Fiksi - Për sa i përket asaj se çfarë ka ndodhur me pyllin, si është si s‘është ne ju kemi informuar disa herë, por asgjë nuk është zgjidhur deri tani. Ne kërkojmë atë që na ka dhënë gjyqi.

Fiksi 2 - Ajo po pritet nga njerëz të papërgjegjshëm.

Zalo Meçe - Ky e ka pyllin e vetë, e ka të vetin, a e ka marrë?

Fiksi - Nuk ma keni dhënë.

Zalo Meçe - Epo shko andej.

Fiksi - Epo ata nuk e japin sepse...

Zalo Meçe - Deri sa ti se ke marrë, ti s‘ke pse ankohesh se nuk e ke pronën tënde.

Fiksi 2 - Pse nuk ndalohet masakra që po i bëhet pyllit vazhdimisht, përditë ai pritet. Pse s‘i kapni?

Zalo Meçe - Kemi kapur, ja ku i ke, i kemi çuar edhe në gjyq.

Fiksi 2 - T‘i bllokoni se aty përditë pritet.

Zalo Meçe - Aty janë 100, aty janë 4 veta, 4 veta nuk ruajnë 100. Po nuk e ndalojmë dot ne, ne sa kemi mundësi.

Fiksi 2 - Po ju për atë punë paguheni.

Zalo Meçe - Epo shko ruaji vetë aty. Ne çdo ditë s‘jemi aty, ne tani jemi te zjarret.

Fiksi - Po ka roje aty.

Zalo Meçe - Po kanë qenë te zjarret dhe rojet.

Fiksi - Ka që në maj, qershor, korrik, gusht, shtator që nga 20 makina çdo ditë.

Zalo Meçe - Kanë qenë 17 se tre kanë qenë tuajat. Do të të marr ty të të çoj nesër aty dhe ndaloje ti.

Fiksi - Nuk do ta parandaloni këtë që po ndodh?

Zalo Meçe - Aty janë inspektorët dhe sot aty janë. Epo s‘kishte njeri dje, pardje ishin të gjithë në zjarr.

Fiksi - Po janë 5 muaj more, s‘ka ngelur më asgjë.

Zalo Meçe - Epo ata janë 500, ata janë 4 veta.

Fiksi - Po s‘ka ngelur më asgjë?

Zalo Meçe - Epo s‘ka ngelur, s‘ka ngelur. Nëse i kanë marrë me ligj le t‘i mbrojnë vetë ata, nëse si kanë marrë, s‘kanë punë të ankohen.

Fiksi - Po pse e lejon more?

Zalo Meçe - Po s‘të jap llogari ty unë pse e lejoj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›