Meta: “Bashkëpunimi Shqipëri-Maqedoni, do të lehtësohen procedurat kufitare dhe doganore”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Antonio Miloshoski, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve, vëmendja kryesore u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, në rritjen dhe forcimin e tij në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për integrimin europian, përfshirë këtu anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe bashkëpunimin rajonal. Gjatë bisedimeve, dy ministrat u shprehën se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira. Ata vlerësuan rolin e veçantë të dy vendeve për sigurimin e një bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv në interes të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Në kuadër të kësaj vizite, dy ministrat nënshkruan edhe dy protokolle bashkëpunimi mes dy institucioneve dhe mes akademive diplomatike të dy ministrive të punëve të jashtme.
Fjala e Metës
Pas takimit kokë më kokë, dy ministrat dolën së bashku në konferencë për shtyp. “Theksuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke evidentuar nevojën e mbajtjes së Sesionit II të Komisionit të Përbashkët për bashkëpunimin ekonomik e tregtar; rritjen e shkëmbimeve tregtare; lidhjet më të ngushta ndërmjet komuniteteve të biznesit, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e transportit, por edhe turizmit, arsimit, mbrojtjes, mjedisit, bujqësisë, si dhe për të nxitur bashkëpunime në projekte të përbashkëta në infrastrukturë dhe energjetikë”, - u shpreh Meta. Gjatë bisedimit me Miloshoskin, Meta theksoi se u vlerësua ecuria pozitive në kuadër të proceseve integruese në BE, si liberalizimi i vizave për zonën “Shengen”. Gjithashtu, Meta bëri të ditur se në këtë takim u theksua nevoja e lehtësimit të procedurave kufitare, hapja e vendkalimeve të reja të përbashkëta kufitare e doganore, si dhe u shpreh angazhimi për të luftuar krimin e organizuar e korrupsionin. “Unë besoj se kjo vizitë e z. Miloshoski dhe takimet e tjera që ai do të ketë me nivelet më të larta të shtetit dhe qeverisë sonë, si dhe kjo frymë miqësie që karakterizon marrëdhëniet tona, e reflektuar kjo dhe në takimet e sotme, do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve midis dy vendeve”, - u shpreh Meta.
Fjala e Miloshoskit
Gjatë këtij takimi, ministri Miloshoski përmendi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në fushat ekonomiko-tregtare. “Ne kemi mundësi për të eksploruar rrugë të tjera për të intensifikuar marrëdhëniet tona mjaft të mira në fushën e integrimit euroatlantik”, - theksoi Miloshoski. Ministri maqedonas shprehu vlerësimin në regjistrimin e popullsisë shqiptare përsa i përket përkatësisë së tyre etnike dhe fetare. “Në këtë drejtim do të thosha që ky proces do të ndihmonte edhe komunitetin maqedonas në Shqipëri me qëllim që ai të identifikojë veten e vet dhe të marrë pjesë sa më mirë në procesin e demokratizimit të shoqërisë shqiptare”, - theksoi Miloshoski.
Elbasan, Berisha: “Brenda vitit do të nisë ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan”
Kryeministri Berisha, dje, nga qyteti i Elbasanit deklaroi se brenda këtij viti qeveria do të nisë ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe se ky projekt, me tunelin e tij, shkurton në mënyrë të ndjeshme jo vetëm distancën Elbasan - Tiranë, por edhe distancën Korçë - Tiranë, Berat - Tiranë dhe Tepelenë - Tiranë. “Pas Rrugës së Arbrit, autostrada Tiranë - Elbasan do të jetë një nga projektet më madhore të qeverisë sonë gjatë këtyre viteve. Ne jemi të vendosur që Shqipëria e vitit 2013 të jetë një Shqipëri krejt tjetër, ku shqiptarët nga të katër anët e vendit të lëvizin në një kohë dy herë më të shkurtër për të mbërritur në kryeqytetin e tyre”, - u shpreh Berisha. Kreu i Ekzekutivit përuroi në Elbasan shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, një investim prej 61 milionë lekësh.
9 Shkurt 2010