Ndërkombëtarët, kundër projektligjit për SHISH-in
Drafti i ndryshimet në ligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror has në kundërshtitë e para. Burime për gazetën bëjnë të ditur se ky projektligj, i kaluar nga qeveria, është marrë në shqyrtim edhe nga Misioni Europian për Asistencën Ligjore, EURALIUS, por është ende në fazë shqyrtimi. Ndërkaq, Top Channel raportoi dje se kjo paketë propozimesh ka hasur në kundërshtimet e ndërkombëtarëve, të cilët, ashtu si edhe të ashtuquajturin Ligji i Lustracionit, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për disa prej pikave thelbësore që janë hedhur në draft. Madje, thuhet se diplomatë dhe drejtues të organizatave të huaja janë vënë në lëvizje për ndryshimin e disa prej pikave të këtij projektligji. Ndryshimet që kërkohet të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me; detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Sipas Top-Channel, kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji.
Ekspertët e huaj që monitorojnë reformën ligjore ngrenë shqetësimin se ky institucion i sigurisë kombëtare rrezik të bjerë në varësi politike.
Në projektligjin e ri thuhet se “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si dhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij”. Në ligjin ekzistues kjo pikë ka qenë e përcaktuar ndryshe. “Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te presidenti i Republikës dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar”.
Nisur nga ndryshimi i nenit 5, vihet re qartë se shërbimi sekret krijon një varësi direkte nga kryeministri, ku kryetari i Shërbimit Informativ përgjigjet në çdo kohë dhe mënyrë vetëm përpara kryeministrit, duke e sanksionuar kreun e qeverisë, ligjërisht, si eprorin e tij direkt. Por jo vetëm kaq. Në ndryshim nga ligji ekzistues, Shërbimi Informativ Shtetëror ndryshon në mënyrë thelbësore edhe objektin e punës së tij.
Në objektin e ri të punës së shërbimit, krahas sigurisë kombëtare, shtohet një nen ku thuhet se: “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike”.
Kjo është një pikë, e cila, nëse interpretohet, në çdo rast mund të sjellë në mendje praktikat e dikurshme të funksionit të këtij institucioni. E që për ekspertët e huaj, juridikisht dhe politikisht, cilësohet si e dyshimtë; sidomos në kontekstin e vënies në varësi politike të shërbimit sekret shqiptar.
Në Nenin 5 të ligjit ekzistues thuhet: “Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara”.
Ne draftin e ri nënvizohet se: “Shërbimi Informativ Shtetëror, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”. Pikërisht edhe në këtë pikë, ekspertët konstatojnë ndërhyrjen e kreut të qeverisë në misionin kushtetues dhe ligjor të Shërbimit Informativ.
Mediat bëjnë të ditur se ndërkombëtarët, pasi kanë studiuar draftin e propozuar nga qeveria, kanë nisur bisedimet me propozuesit e këtij projekti për të marrë në konsideratë ndryshimet. Sipas tyre, “amendamentet e propozuara rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën në një ndikim të pastër politik.
Një tjetër argument që theksohet në konstatimet e para që kanë bërë ekspertët e huaj është edhe fakti se praktikat më të mira në Perëndim kanë bërë të mundur që shërbimet e inteligjencës të jenë sa më të pavarura dhe të ruhen raportet mes tyre, institucioneve të tjera kushtetuese dhe politikës.
Reformat që janë bërë në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë një kosto të madhe financiare, pjesën më të madhe të së cilës e kanë përballuar donatorët.
Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe vendet anëtare, të përfaqësuara me misione diplomatike në Shqipëri, i kërkojnë Tiranës zyrtare të respektohen standardet edhe në ndryshimet që do të bëhen në funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Burime mediatike pohojnë se edhe gjatë javës së kaluar, ambasadorët e vendeve perëndimore kanë biseduar me kryeministrin Berisha, ndër të tjera, edhe për draftin më të fundit për ndryshimin e kuadrit ligjor të SHISH-it.
NDRYSHIMET NË LIGJ
Detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror
Detyrat e Drejtorit të SHISH-it
Afati i qëndrimit në detyrë të drejtuesve të SHISH-it
Bashkëpunimi i SHISH-it me shërbimet partnere
9 Shkurt 2010