Berisha: “Qëndrimi i opozitës, paradoksal. Nuk ka kompromis për kutitë”
Kryeministri Berisha ka përsëritur edhe njëherë dje nga Kopenhaga, në një intervistë për BBC-në, se nuk bën kompromis me opozitën për hapjen e kutive të votimit. Berisha e ka cilësuar kërkesën e opozitës paradoksale, duke theksuar se nuk mund të shkelë mbi vendimet e gjykatave. Gjatë kësaj interviste Berisha tha se ai e inkurajon opozitën që të punojnë së bashku për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. “Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtëparlamentare duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Ky është qëndrimi më paradoksal. Unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave. Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në Parlament dhe e mirëpret”, - tha Berisha.
Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, kërkon me ngulm në deklarimet e tij të herëpashershme që Berisha të pranojë të hapë kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ose përndryshe duhet të largohet nga pushteti. Berisha tha se pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja, ai i ka bërë publikisht thirrje zotit Rama “që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi e ta përshëndesim dhe të shprehim gatishmërinë për të punuar së bashku”. Ai tha se shumica është e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por e përjashtoi mundësinë e një kompromisi të mundshëm për kërkesën e opozitës që një komision parlamentar të hapë kutitë e votimit si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje. “Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave”, - tha Berisha. “Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen votat, unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua. Nuk ka ndodhur kurrë që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate”, – përsëriti Berisha.
18 Dhjetor 2009