E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Bojkoti, Rama t’i harrojë pazaret politike, mazhoranca e interesuar vetëm për dialog”

Kreu i LSI shigjeton nga Korça kryesocialistin Edi Rama Kryetari i Lëvizjes Socialiste dhe njëherazi Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të  Jashtme, Ilir Meta, deklaron se drejtimi politik që po ndjek Edi Rama, pra ai i bojkotit, bëhet me arsye se kryesocialisti Edi Rama kërkon të kapë institucionet e pavarura, duke filluar nga Presidenti. Meta u shpreh nga Korça, pas një takimi të zhvilluar me kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, se bojkoti i opozitës është një turp personal i Edi Ramës, që do t’i sjellë vetëm dështime dhe mos realizimin e planeve ogurzeza të tij. “Bojkoti është një turp, dhe me këtë bojkot opozita nuk do arrijë dot të marrë as presidentin, as kryetarët e gjykatave dhe as prokurorinë. Bojkoti është një turp dhe për vendin, natyrisht që nuk është gjë pozitive derisa ka një opozitë që bën gjëra të tilla. Ky është një bojkot i pa justifikueshëm dhe i pamoralshëm. Krizë nuk ka, kriza është brenda atyre që thonë dhe bërtasin për krizë. është për të ardhur keq, që ata nuk kanë kuptuar akoma asgjë se ku është Shqipëria sot. Shqipëria është një anëtar i NATO-s, Shqipëria është një vend i cili ka hyrë në një fazë të re dhe po përgatitet për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ndërsa ka dhe qëndrime të tilla si kjo mënyrë e të dëmtuarit të demokracisë, përmes një bojkoti. është krejtësisht i pajustifikuar dhe e pamoralshme, absolutisht që të jenë të sigurt nuk do t’u japin, as Presidentin, as kryeprokurorin, as kryetarët e gjykatave që i kërkojnë si pazar për të mbyllur një krizë që e kanë sajuar vet, sepse kriza nuk ekziston. Kriza është thjesht çoroditja e tyre”- deklaroi Meta.  Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka shtuar se mazhoranca është e hapur për dialog me opozitën, por jo për pazare politike. “Mazhoranca është e hapur për dialog, por jo për pazare politike”, tha Meta. Sipas tij, kërkesa që mund të zgjidhte ngërçin politik refuzohet vetëm nga lideri i PS, Edi Rama. Duke qëndruar tek bojkoti i PS, Meta vuri në dukje dhe pozitën e deputeteve socialistë dhe fatet e mandateve të tyre. “Shqipëria ka një kushtetutë dhe ajo duhet të zbatohet edhe për mandatet e deputeteve edhe për pretendimet që kanë pasur të bëjnë, është respektuar kushtetuta dhe janë konsumuar të gjitha mjetet ligjore. Dialogu është gjithnjë i mirëpritur, por ai është refuzuar vetëm nga një person dhe kjo është çështje e tyre. Për të gjitha çështjet e tjera do të zbatohet kushtetuta”, deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare. Kreu i LSI që disa ditë më parë theksoi se nuk të plotësohet kurrë kërkesa e PS për hapjen e kutive, dje theksoi se dhe kriza ekonomike në vend që deklaron herë pas herë PS është trillim i selisë rozë. “është për të ardhur keq që nuk kanë kuptuar akoma që kush është Shqipëria sot, ajo është një anëtare e NATO-s, Shqipëria është një vend i cili po përgatitet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Dhe të gjitha këto janë rezultat i sukseseve dhe arritjeve të kësaj qeverie”, shtoi më tej, Meta. Pretendimet e PS për postin e Presidentit, reagon LSI: “Qëndrimet tendencioze të opozitës, për të sajuar krizë dhe më pas të verë kushte për ndarje pushtetesh”/Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj deklaratave të fundit të opozitës, e cila me sa po kuptohet, kërkon me çdo kusht të rrëmbejë postin e Presidentit dhe drejtuesve të institucioneve të tjera Kushtetuese. Nën kryetari i LSI, Edmond Haxhinasto e cilëson të parakohshëm këtë debat dhe e cilëson të pamoralshme tendencën e opozitës për të shkaktuar qëllimisht krizë politike dhe më pas të verë kushte, për të përfituar dominancë ndaj pushteteve të pavarura. “Mendoj se ky është një debat i parakohshëm, ndërkohë që ne duhet të kemi një aktivitet normal, opozita duhet të kthehet në Parlament dhe këto çështje i përkasin një diskutimi të tillë institucional. Por këto zëra që vijnë nga opozita mendoj se nuk janë aspak racionale, pasi në këto momente tregohet se opozita nuk ka si objektiv të saj, pikërisht përmirësimin e kuadrit ligjor dhe standardeve të zgjedhjeve, por dëshiron që të krijojë një krizë politike dhe më pas të arrijë zgjidhjen e kësaj krize duke u ulur në një tavolinë negociatash, ku diskutohet dhe ndarja e pushteteve të cilat janë të pavarura. Do thosha se diçka e tillë është e papranueshme në një kohë që Shqipëria është një vend ku sundon ligji sipas gjithë standardeve ligjore dhe Kushtetutës së vendit”, u shpreh Haxhinasto, duke theksuar se posti i Presidentit zgjidhet në mënyrë shumë të qartë pas amendimeve që ka bërë PS-ja në Kushtetutën e miratuar në 1998, që sanksiononte zgjedhjen e Presidentit me 84 vota, ndërsa në prill të vitit 2008 u vendos që Presidenti të zgjidhej me shumicë të thjeshtë me 71 vota. Në këtë drejtim, përfaqësuesi i LSI shton se “çdo mazhorancë që ka 71 vota mund ta zgjedhë presidentin, pasi amendimet kushtetuese që kanë ndodhur janë themelore: me parë kërkoheshin 84 vota, pra një mazhorancë e cilësuar, që do të thotë që për zgjedhjen e një Presidenti nuk mjaftonte të ishe parti apo koalicion në mazhorancë, por, duke pasur një mazhorancë që nuk mund të kishte 84 vota e vetme, duhet të arrije edhe një konsensus me opozitën”. Megjithatë, LSI e konsideron këtë si një debat të panevojshëm, pasi kuadri legjislativ që ka vendi, Kushtetuta e vendit e kanë shumë të qartë mënyrën sesi zgjidhet Presidenti dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të tjera të pavarura....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›