E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Brenda 2010 do të hiqen vizat

14/11/2009  Proceset integruese

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, ka shprehur besimin gjatë samitit të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore se vitin e ardhshëm qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian. “Brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për secilin prej vendeve tona”, ka deklaruar ai. Shefi i diplomacisë shqiptare, informoi samitin lidhur me nivelin aktual të procesit integrues të Shqipërisë në BE, duke u ndalur në aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në. Në fjalën e tij në samit, ministri i Jashtëm shqiptar vlerësoi NEQ si një forum shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit konkret, nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme. Duke nënvizuar integrimin evropian si sfidën më të rëndësishme të kësaj nisme, Meta vlerësoi se “vokacioni evropian i Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet i pandryshueshëm dhe si rrjedhojë, integrimi në BE është prioritet madhor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar”. Po ashtu, pika të tjera që u evidentuan gjatë fjalës së ministrit Meta në këtë samit ishin anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, klima e sigurisë dhe paqes në rajon, veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›