E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat mblidhen nga shitja e aseteve shtetërore

14/11/2009  Këshilli i Ministrave miraton krijimin e fondit për kompensimin e pronave

Berisha: Shitja e trojeve do jetë për metër katror ndërtimi

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronave. Qëllimi i kësaj nisme ligjore është krijimi i një fondi të posaçëm, nga shitja e truallit shtetëror, që do të vihet në dispozicion të kompensimit të pronarëve. Vetë Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes se ligji adreson në fondin monetar të kompensimit të pronarëve të ardhurat nga ankandet e tjera, si: shitja e sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore. Duke prezantuar projektligjin, shefi i ekzekutivit tha se përmes tij ridimensionohen burimet e qeverisë për të kompensuar pronarët shqiptarë, formë e cila do të jetë ajo me vlerën e tregut. “Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe parimet programatike të qëndrimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. Kjo është një faturë shumë e madhe, e cila ka dinamizmin e saj nga viti në vit, sepse i tillë është dinamizmi i vlerës së tregut”, deklaroi ai. Për krijimin e fondit monetar të kompensimit, Kryeministri Berisha tha se do të përdoren edhe të ardhurat nga privatizimet dhe ankandet e aseteve shtetërore. Duke iu rikthyer debatit për truallin në qendrën e Tiranës, Kryeministri tha se edhe pse ligji i vitit 1994 vërtet e ndalon qeverinë të shesë trojet publike, por përmes një amendimi të lehtë, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më efeciente për kompensimin e pronarëve. “Ankandi duhet të jetë për metër katror ndërtimi, sepse kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit”, ka deklaruar Kryeministri Berisha. Madje për këtë pikë, Berisha thumboi edhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në lidhje me planin urbanistik të kryeqytetit.

Fondi

Fondi i kompensimit të pronave do të krijohet nga shitja e aseteve shtetërore. Kështu, paratë që do të mblidhen përmes shitjes së trojeve që janë të pronësi të shtetit, siç është rasti i truallit në qendër të Tiranës, do të kalojnë për kompensim të pronarëve. Gjithashtu, të ardhurat nga ankandet e pronave të tjera, si: sipërmarrje, vlera apo asete shtetërore, kalojnë në fondin monetar të kompensimit të pronarëve.

Ankandet

Projektligji i miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë sanksionon se të gjitha asetet pronë shtetërore do të kalojnë në shitje përmes një ankandi transparent. Kryeministri Berisha, duke iu referuar shitjes së truallit shtetëror në qendër të Tiranës, tha se duhet që “ankandi të jetë për metër katror ndërtimi, sepse kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit”.

Pemët

Deri në 300 mijë lekë për ha do të marrin fermerët, të cilët kultivojnë drurë frutorë në femrat e tyre. Kjo është vendosur dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet se “Mbjelljen e pemëve frutore, luleshtrydhe, të ullinjve dhe agrumeve në bllok marrin përkatësisht 300 mijë lekë për ha

Vreshtat

Mbjelljen e vreshtave në bllok, jo më pak se 5 dynym, për fermerë individualë, dhe jo më pak se 1 ha, për grup fermerësh, në vlerën 400 mijë lekë/ ha. Ndërkohë do stimulohet edhe mbarështimi i blegtorisë, ku në vendim thuhet se do paguhen me 5 mijë lekë për kokë për njëthundrakët ata që kanë mbi dhjetë të tillë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›