E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Dialog larg ultimatumeve, nuk tregojnë pjekuri politike



Zv.kryeministri, Ilir Meta bëri thirrje dje për gjetjen e konsensusit mes forcave politike, duke mos vendosur paraprakisht kushte dhe ultimatume. I sapokthyer nga Samiti i Sarajevës, kreu i diplomacisë shqiptare tha se “takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Europian apo të komunitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të pa nevojshme, të cilat më shumë sesa përparimin e dialogut politik, synojnë realizimin e tekave apo kapriçove individuale, që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të Integrimit Europian, që është një interes kombëtar për gjithë qytetarët shqiptarë, pikërisht në vendin e parë”. Përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Ministri i Jashtëm tha se Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha kushtet. “çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar. Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha, përveç tre elementeve të caktuar që janë në proces dhe ku ne vazhdimisht vazhdojmë të raportojmë lidhur me përmbylljen e tyre përfundimtare”, theksoi më tej Meta. Sipas tij, Samiti i Sarajevës konfirmoi edhe njëherë mbështetjen ndaj Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me vendin tonë. Meta tha se kjo mbështetje është një moment shumë pozitiv dhe një mesazh i qartë se integrimi në BE është një proces i prekshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›