“Ndryshimet të jenë konsensuale”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi tha dje se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit duhet të jenë konsensuale. Nismën e fundit të maxhorancës për ndryshime të saj, ai e cilëson një akt të rëndë që synon kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe sipas tij, Partia Socialiste nuk duhet të bëhet pjesë. “Tani do të heqë votimin e fshehtë për emërimet, për të pushtuar përfundimisht edhe Gjykatën Kushtetuese. PS në mënyrë absolute s’duhet të pajtohet me këtë”, tha Gjinushi. Sipas ish-kryetarit të Kuvendit, maxhoranca ka ndryshuar rregulloren në mënyrë të njëanshme edhe më parë, dhe pikërisht për mënyrën e votimit.