E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, Berisha opozitës: Shpallët kundërshtarin armik, beteja juaj kundërproduktive

“Këto ditë janë ditët e Shqipërisë. BE mori vendimin për vizat për Shqipërinë, pas luftës kundër krimit të organizuar. Pas çmontimin të bandave të Nehat Kullës, pas një lufte të vlerësuar më mirë se mesatarja e vendeve të BE. Kjo është një arritje e një rëndësie të madhe, sepse u bë një vlerësim i ndershëm, miqësor, objektiv i përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve, i vendosmërisë dhe vullnetit të tyre, për të arritur në brigjet e familjes evropiane. Shqipëria, absolutisht nuk është ajo që duam, sepse të gjithë do të donim një Shqipëri shumë kate më lart se ç’është, por Shqipëria sot është më e besueshme, më e suksesshme. Ajo është në atë nivel që ka fituar një besim universal në seriozitetin e saj në reforma, në përpjekjet e saj të ndershme dhe dinjitoze për t’u bashkuar në familjen e vendeve të zhvilluara. Shqipëria ka dalë në një stacion të ri, ku do të ketë më të suksesshëm se kurrë rrugën e saj drejt integrimit. Shqipëria nuk ka sot zhvillimin dyshifror ekonomik që do ta donim, por u vlerësua shumë më lart se ekonomia e çdo vendi, pasi në një fortunë krize ekonomia shqiptare qëndroi në 3.5%. kjo rritje është shumë e vlerësueshme, nëse mendojmë që vendet e tjera janë zhytur në një hendek. Shqipëria fitoi dinjitetin e saj në zgjedhjet e 28 qershorit, përmes një procesi të certifikuar ndërkombëtarisht sit ë lirë dhe të ndershëm. Rruga që kemi përpara nuk është kaq e lehtë. Sërish kemi një univers standardesh, kriteresh, praktikash për t’i vendosur në interesin më të mirë të vendit. është në interesin tonë të bashkëpunojmë për vendosjen e këtyre standardeve. Të ngrejmë këtu godinën e integrimit të Shqipërisë evropiane. Nuk ka gjë më të pranueshme sesa të mos punohet bashkërisht në këtë drejtim. Unë besoj se gjithë këto muaj, janë një periudhë në të cilën mund të nxjerrim konkluzionet më të ndershme. Dhe cilat janë, janë proceset të cilat shtyjmë integrimin e Shqipërisë përpara. Kriteret dhe kushtet e plotësuara. Në një kohë kur ne merrnim në Bruksel vendimin për vizat ndërtuat një kamp para zyrave të mia. Ishte momenti që ju të përcillnit një mesazh për këtë arritje. Vendimet u morën, pavarësisht nga çadrat e kampit dhe në fund të fundit çfarë ndodhi, asgjë tjetër veçse një ndasie mes kampistëve dhe jo kampistëve, e gjitha kjo kundër Sali Berishës. Kundërshtari, është kundërshtar, por jo armik. Duke e shpallur kundërshtarin armik, është një betejë kundër produktive. Mos vendosni si parim të veprimtarisë tuaj, vetëm antiBerishizmin, por duke e bërë totalitare këtë qeveri, iu kthehet në bumerang dhe nuk iu shërben”.


Seanca, mazhoranca: Rama demagog, jep ultimatume dhe më pas u kërkon ndërkombëtarëve të mos konsiderojnë qëndrimin e tij


Ka nisur si zakonisht punimet e radhës seanca parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë me diskutime të lira, duke u ndalur te çështjet e integrimit dhe rolit përkatës të mazhorancës dhe opozitës në këtë proces. Deputetët e Partisë Demokratike dhe partive të koalicionit vlerësuan vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave si arritje madhore të vendit, ndërsa dënuan qëndrimin e Edi Ramës, duke e quajtur këtë të fundit si demagog. Ministrja e Integrimit Evropian Majlinda Bregu tha se opozita dhe Edi Rama kanë vënë në ballë të axhendës së tyre politike interesat personale, kundrejt atyre të vedit dhe shqiptarëve në tërësi. Ministrja Bregu tha se Edi Rama po shtrembëron deklaratat e ndërkombëtarëve, duke i kthyer ato në ultimatume kundër qeverisë dhe mazhorancës. “Opozita po shtrembëron deklaratat e ndërkombëtarëve të cilët janë shprehur pozitivisht për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Në Samitin e Sarajevës, BE-ja dha garanci për heqjen e vizave pa vonesë për Shqipërinë, por fatkeqësisht opozita është e prirur për të shtrembëruar deklaratat e BE-së. Pak ditë më parë, pas marrjes së aprovimit për vizat, Edi Rama iu drejtua me anë të një letre Presidentit të KE-së Barroso. Rama është bërë qesharak me letrën e tij. Ai jep ultimatume dhe më pas i kërkon ndërkombëtarëve që të mos marrin parasysh qëndrimin e tij. Ai është një lider demagog”- u shpreh ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu Gjithashtu ministria Bregu theksoi se 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit ka një simbolikë të veçantë për Shqipërinë pasi vendi ka bërë hapa përpara. Ajo shtoi më tej se liberalizimi i vizave është tashmë do të jetë realitet për Shqipërinë ndërkohë që vetëm opozita është ajo e cila nuk e pranon këtë realitet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›