Objekti muze do t’i kthehet drejtorisë rajonale të Kulturës
Ferdinand Xhaferri shpjegon procedurat për shtëpinë e Dash Pezës
Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri deklaroi dje se shtëpia e Myslym Pezës, në Pezë të Tiranës është një objekt-muze, por kjo nuk ka lidhje me pronarët, të cilët mund të qëndrojnë qetësisht në atë ambient. Deklarata e ministrit erdhi pas reagimeve të opozitës, të cilët dënuan ndërhyrjen e ekzekutivit, për kthimin në monument kulture të shtëpisë. Ministri Xhaferri tha se “kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi- muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka pasur një propozim që ajo të hiqet nga lista e monumenteve të kulturës. Po në vitin 2006 Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet që rregullojnë raportet e qeverisjes vendore, propozon që kjo shtëpi muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësinë territoriale dhe administrative të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Sipas kreut të MTKRS, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka bërë përpjekje ta heqë banesën nga inventari i objekteve muze. Ministri i Kulturës tha se Edi Rama ka tentuar ta kalojë banesën në fjalë në administrimin dhe përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës në mënyrë krejt të paligjshme. Xhaferri mohoi që ky vendim që kërkon të zbatojë Drejtoria e Monumenteve të Kulturës të jetë politik. “MTKRS, nisur nga këto arsye, i propozoi qeverisë që shtëpia-muze, që gjithmonë ka qenë monument kulture, të kthehet nga administrimi i Bashkisë së Tiranës nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës së Tiranës, për të pasur një përkujdesje të madhe”, tha ndër të tjera ministri Xhaferri. Ai sqaroi më tej, se “ky vendim nuk e cenon aspak as pronësinë e shtëpisë, as banorët e saj, pasi ne kemi me dhjetëra raste kur ndërtesa e monumente kulture kanë pronarët e tyre legjitimë, që jetojnë dhe kujdesen në ato shtëpi, por edhe MTKRS kujdeset për mbrojtjen e tyre”. “Objekti i shtëpisë-muze do t’i kthehet drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare të Tiranës. Por marrja e vartësisë nuk ka lidhje me pronarët, dhe nuk cenon jetën e tyre, të cilët mund të vazhdojnë të banojnë në të. Ne kemi me dhjetëra raste të tilla, kur objekte me vlerë ose i ruajnë dhe i mirëmbajnë pronarët vetë, ose shteti, ose të dy në bashkëpunim”, u shpreh ministri Xhaferri.
...