E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Plazhet janë të ndotura, higjiena nuk i mbyll

Raporti në muajin e fundit të verës, për mungesë fondesh

Edhe pse mund të kemi prenotuar në një hotel luksoz, mund të kemi një shtëpi në plazh, uji në të cilin lahemi mund të jetë më shumë infektues sesa kurues. Madje pushimet në zona të caktuara të bregdetit mund të jenë me pasoja shëndetësore negative sesa në ndihmë të lëkurës, sëmundjeve reumatizmale, apo kurative për tiroiden, ashtu siç edhe vetë mjekët na këshillojnë. Një raport i fundit i realizuar me fondet e Ministrisë së Mjedisit, por me ekspertizë të Institutit të Shëndetit Publik, raporton të dhëna shqetësuese për plazhet në vend, sidomos për Durrësin. Ndërsa raporti thekson për të disatën herë se një pjesë e plazheve janë të ndotura tej mase mbi nivelin e lejuar, Drejtoritë e Higjienës, të cilat kanë kompetenca për të vepruar, ende edhe sot nuk i kanë vënë “drynin” asnjë plazhi. Për më tepër në këto zona nuk ka asnjë tabelë ku pushuesit të informohet mbi rrezikun nga ndotja.

Për gjashtë muaj me radhë, deri në fund të muajit korrik janë kryer tri faza monitorimesh në të gjithë vijën bregdetare që shfrytëzohen nga pushuesit shqiptarë. Sipas raportit të fundit të kontrollit të plazheve, faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza në det si dhe shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det. Edhe pse janë ndërtuar hotele luksoze, investitorët nuk kanë menduar për të përfshirë teknologji të avancuar në përpunimin e mbetjeve apo ruajtjes së normave të lejuara të higjienës së ujit dhe të mjedisit pushues.

Plazhet më të ndotura

Plazhet më të ndotura në vend, ku specialistët rekomandojnë deri edhe “bojkotim”, për shkak të ngarkesave të larta mikrobiologjike në ujë janë ato të Durrësit e Kavajës. Ndotja më e madhe, sipas raportit mjedisor, është kryesisht në Currila, në plazhin Zhiron te Bërryli, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe te Plepat, ku rezultatet e analizave janë alarmante. Por panorama nuk është e zymtë vetëm në Durrës e Kavajë. Situatë e rëndë paraqitet edhe në plazhin e vjetër në qytetin Vlorës, përgjatë zonës së Skelës, si dhe në Plazhin e Ri, aty ku derdhen kanale të shumta të ujërave të zeza. Në Plazhin e Ri në Vlorë, specialistët kanë konstatuar ngarkesa të larta bakteriologjike në ujë.
Ndërkohë, sipas Institutit të Shëndetit Publik plazhet e Sarandës rezultojnë brenda normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me përjashtim të plazhit në Kanalin e çukës, ku niveli i ndotjes i kapërcen këto norma.

Sa i përket brgdetit veriperëndimor, që përfshin plazhet e Shëngjinit dhe të Velipojës, ujërat detare konstatohen se janë brenda normave të pastërtisë, por vihet re mungesë e kushteve higjieno-sanitare në mjedisin përreth dhe ndotje e sipërfaqes së rërës nga mbeturinat.

Raporti mjedisor i ujit

Në raportin e fundit të Ministrisë së Mjedisit me analiza të ujërave të deteve, i kryer nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, rezulton se plazhi i plepave në Golem është i ndotur përtej parametrave të OBSH-së dhe Komunitetit Europian, pasi jo vetëm ujërat detare kanë ngarkesë të lartë bakteriologjike, por në gjendje alarmante është edhe mjedisi i plazhit. Në këto mjedise, në mes të rërës vihen re kanale ujërash të zeza dhe pellgje ujërash urbane që vijnë erë të rëndë. Krahas plazheve të ndotura, ambienteve që lënë për të dëshiruar, specialistët e shëndetit rekomandojnë edhe zona të pastra, ku vendasit apo turistët mund të jenë të qetë, për të pushuar. Në zonën jugore të vendit, specialistët rekomandojnë plazhet pas tunelit në Vlorë, Radhimën, plazhin e Orikumit, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit. Ekspertiza konfirmon se këto mund të konsiderohen plazhet më të pastra në Shqipëri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›