Meta: Do bashkëqeverisim me shqiptarët për të ndryshuar vendin
Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi një takim mjaft entuziast me 400 anëtarë të rinj në qytetin e Elbasanit. Në këtë takim Meta shoqërohej nga zv.sekretarja e Përgjithshme e LSI, Eris Zaimi, nga Kryetari i LSI në Elbasan Bujar Kllogjeri, nga Kryetari i LSI në rrethin Durrës, Lefter Koka, si dhe nga analisti i mirënjohur Artur Zheji. Lideri i LSI-së, Meta, shprehu vendosmërinë për t’i udhëhequr të gjithë shqiptarët drejt një ndryshimi të madh, të cilin tha Meta “nuk do e realizojmë vetëm, sepse nuk kemi mundësi të ndryshojmë Shqipërinë të vetëm, madje këtu ndryshojmë ne nga lidershipi i PD dhe nga lidershipi i PS. Do ta ndryshojmë Shqipërinë në radhë të parë, duke ndryshuar mentalitetin përjashtues dhe në qeverisje, atë që vihet re sot si në Gërdec - Qeverinë e Berishës dhe në Bunker - Bashkinë e Ramës. Ne do të bashkëqeverisim me të gjithë shqiptarët, do të bashkëqeverisim me të gjithë forcat politike edhe këtu në Elbasan, duke i dëgjuar, duke dialoguar e duke reflektuar për të gjitha propozimet pozitive dhe të dobishme të komunitetit. Sepse ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi, nuk kemi frikë nga dialogu i vërtetë, nuk kemi frikë nga problemet, se jemi të aftë t’i zgjidhim ato, sepse kemi profesionistë nga më të aftët, në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Meta. Ndërkaq në fjalën e tij, kreu i degës së LSI-së, Bujar Kllogjeri theksoi se “ju vërtet sot jeni 400 të rinj që jeni pranuar në LSI, por nuk jeni vetëm ju, pasi janë me qindra në rrethe të tjera, si në Librazhd, në Gramsh, në Peqin”. “Unë nga ky podium i bëj thirrje të gjithë njerëzve përparimtarë, të gjithë njerëzve që e duan Shqipërinë, ti bashkohen kësaj force politike, sepse është e vetmja forcë, e cila do të nxjerrë vendin nga ky batak që e kanë futur forcat e vjetra politike, pasi vërtet janë forca që duhet të dalin në pension, sepse ju e dini që Kryeministri ka mbushur dhe moshën e pensionit, por edhe lidershipi i Partisë Socialiste vërtet është vjetërsuar shumë”, tha Kllogjeri.