Qeveria jep kredi për 6 mijë apartamente, ja kategoritë e të pastrehëve që do të përfitojnë
Adi Shkembi
Qeveria miraton vendimin për të përballuar interesat e kredive për 6 mijë apartamente. Sipas aktit të kaluar dje në Këshillin e Ministrave, tre mijë apartamente do të jenë për banorët që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve dhe tre mijë të tjerë për të pastrehët. Kryeministri Berisha theksoi se me këtë vendim zgjidhet një prej problemeve të reformës së pronësisë. “Qeveria vendos të përballojë interesat e kredive për 6 mijë apartamente, prej të cilave, 3 mijë do të jenë për familjet që banojnë në shtëpi të pronarëve. Sipas regjistrave, ky përbën dhe kontingjentin më të gjerë të të pastrehëve në vend. Duke krijuar mundësinë e sistemimit të tyre në shtëpi, nëpërmjet kredisë pa interes, qeveria zgjidh së pari një problem madhor strehimi në vend dhe krijon të gjithë kushtet ligjore për zbatimin e ligjit dhe rikthimin e banesave tek të zotët e tyre”, theksoi Kryeministri. Sipas tij “ky është një stimul i fuqishëm në tregun e banesave dhe një fuqizim i madh i kolateralit në tërësi në vend. Ndërsa 3 mijë apartamente të tjera do të shkojnë në përputhje me një premtim solemn timin dhe të qeverisë, për ndërtimin e 4 mijë apartamenteve për të pastrehët gjatë këtij mandati.
Kriteret
Duke folur për marrjen përsipër të interesave të kredisë nga qeveria për 3 mijë familje të pastreha, Kryeministri Berisha zbardhi disa prej kushteve për kategoritë që do të përfitojnë. Kështu, parësore për t’u strehuar do të konsiderohen familjet në nevojë, familjet me një prind, familjet me shumë fëmijë, si dhe familjet e personaliteteve të artit, kulturës, shkencës. Sipas kreut të qeverisë, ky është një tjetër premtim elektoral i zgjedhjeve të 3 korrikut që po mbahet. “Në këtë mënyrë, ne jo vetëm mbajmë premtimin tonë për 4 mijë apartamente, por në të vërtetë e zgjerojmë këtë, sepse po në përputhje me premtimin tonë, do t’i krijojmë kushte pronarëve për kthimin e banesave të tyre, dhe kjo natyrisht që do të bëhet duke u krijuar kushte strehimi atyre që banojnë në këto banesa”, theksoi më tej Berisha. Teksa bëri publik vendimin, kreu i qeverisë ironizoi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për politikat e strehimit. “Le të shkojnë dhe të gjejnë banesat sociale të kryetarit me korrespodencë të Bashkisë së Tiranës. Nuk ekziston as nam e nishan. Qeveria mban fjalën! Fjala e dhënë është fjalë e mbajtur”, u shpreh Kryeministri. Në fund, kreu i qeverisë theksoi se ndërtimi i gjashtë mijë apartamenteve në vend përbën një bonos edhe për ndërtuesit. “Ky vendim përbën një bonus edhe për ndërtuesit shqiptarë, të cilët janë shumë aktiv dhe të përqendruar në ndërtime të mëdha, por edhe ky kreditim i qeverisë është një bonus për ndërtuesit, të cilin ata e meritojnë. Po të kemi parasysh, ndërtimi është edhe motori kryesor i zhvillimit të vendit. Mund të them se ndërtuesit janë kontribuues shumë të rëndësishëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto, kontribuues shumë të rëndësishëm në të ardhurat e vendit, pra është një bonus i merituar për ndërtuesit shqiptarë. Kështu që mirësia e kësaj pakete është e shumanshme”, theksoi Berisha.
Kategorite qe perfitojne
Ndërtimi i 6 mijë banesave
• 3 mijë banesa për banorët që kanë zënë ndërtesat e ish- pronarëve
• 3 mijë banesa për të pastrehët
Kushtet e të pastrehëve
• Familjet në nevojë
• Familjet me një prind
• Familjet me shumë fëmijë
• Personalitetet e artit, kulturës, shkencës
Vendimi, kthehet tek izoti oborri në përdorim
Qeveria miraton vendimin për t’u kthyer pronarëve sipërfaqen e shtetëzuar pranë shtëpive të tyre me kushtetutën e vitit 1976. Sipas vendimit, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t’u regjistrojë pronarëve oborrin dhe truallin e tyre mbi bazën e dokumenteve të pronësisë që disponojnë, ndërkohë që do t’u japë kundrejt një vlere të caktuar edhe oborrin që ata kanë marrë nga trojet publike, vite më parë. Sipas Kryeministrit Berisha, ky ka qenë një standard absurd dhe me vendimin e miratuar merr fund me shpejtësi. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të reformës së pronësisë, sepse ka qenë një standard absurd që merr fund me shpejtësi. Që të jemi realist, kjo u ka interesuar kryesisht banorëve autoktonë, më shumë se sa të tjerëve që janë shpërngulur, sepse të gjitha banesat që kanë përbërë qytetin, pa shtesat dhe pallatet e ndërtuara më vonë, kanë qenë private, të pronarëve, dhe që në paranojën e zhdukjes së pronës private, ajo pronë u quajt si pronë në përdorim”, theksoi kreu i qeverisë.
Berisha: Gati të jap llogari në Parlament
Kryeministri Berisha tha dje se është i gatshëm të flasë në interpelancën e kërkuar në Kuvend, për premtimet e mbajtura të 3 korrikut. “Një deputet më ka kërkuar në interpelancë dhe më thotë të vish të raportosh në Parlament për realizimet e programit elektoral të vitit 2005. Por, po të shkoj tani, unë pas një muaji do të kem edhe realizime të tjera. Megjithatë unë do të bëj një pakt me të, se si Kryeministër jam i detyruar të paraqitem në Parlament, por do të jetë mirë të më jepet kohë, që të shfrytëzoj edhe këto 140 ditë të këtij mandati, në mënyrë që mandatin tjetër ta nis me një vrull të ri”, u shpreh Kryeministri Berisha.