E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jala, opozita: Të hetojë Prokuroria

 

BLEDAR HOTI

Opozita i kërkon Pro-kurorisë së Përgjithshme të hetojë në lidhje me raportin e Bankës Botërore për projektin e Jalës. Raporti më i fundit i BB-së ka qenë objekt i debatit mes maxhorancës dhe opozitës, ku të dyja palët e kanë komentuar në këndvështrime të ndryshme. Deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Taulant Balla kërkuan investigim dhe nga ana e Prokurorisë shqiptare për këtë çështje. Ndërsa Ministri i Transportit, Olldashi, reagoi duke i kërkuar opozitës që “të mos hidhnin baltë mbi qeverinë për këtë çështje që tashmë është e mbyllur”. Maxhoranca e cilëson të mbyllur një çështje të tillë, por opozita shprehet për të kundërtën, duke theksuar se tani Banka Botërore sapo ka nisur hetimin. “Kryeministri i vendit është mësuar që të etikojë cilindo politikan shqiptar majtas apo djathtas si i korruptuar, si armik, si bandit, si horr. Por është krejtësisht skandaloze që një prej zyrtarëve më të lartë dhe më me integritet i Bankës Botërore të etiketohet si hajdut dhe i korruptuar. Kryeministri jonë nga armiq të brendshëm, kalon në armiq të brendshëm. Kjo është skandaloze, kryeministri jo vetëm që gjen armiq të jashtëm por i gjen edhe të korruptuar”, deklaroi nënkryetari i grupit të PS-së, Braçe. Ai theksoi se “duhet t’i kujtoj kryeministrit edhe një herë se fajet Penale nuk janë kolektive, por janë individuale. Prokuroria duhet të veprojë për të gjetur zyrtarët e korruptuar”. Ndërsa Ministri i Transportit, Olldashi hodhi poshtë këto pretendime të ngritura. “Nëse do të kishte sadopak përgjegjshmëri, ju duhet të kërkonit falje për të gjithë trillimet dhe gënjeshtrat që keni bërë. Askush nga zyrtarët e qeverisë apo nga anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion. Banka Botërore ka parashikuar blerjen e pajisjeve për fuqizimin e Policisë së Ndërtimit, pikërisht në funksion të detyrës së parë, heqjes së ndërtimeve të paligjshme”, deklaroi Olldashi. Ministri shtoi se “askush nga qeveria apo anëtarët e zbatuesve të projektit nuk hetohet për korrupsion. Është shumë e lehtë që të hedhësh baltë mbi maxhorancën”, u shpreh Olldashi. Ndërsa socialisti Taulant Balla ka deklaruar se “dy ditë më parë Banka Botërore pranoi se është përdorur autoriteti i saj për të prishur shtëpitë e banorëve në Jalë të Vlorës, duke shtrembëruar thelbin e projektit dhe duke anashkaluar mbikëqyrje korrekte të tij”.

Bode: Ndërtimet nuk i shembi qeveria, por do i dëmshpërblejmë

Kreu i Financave ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e Bankës Botërore mbi shembjen e ndërtimeve në Jalë. Për ministrin Bode prishja e ndërtimeve në këtë zonë ka qenë një kërkesë e vetë Bankës Botërore. “Kur themi që ka lidhje mes projektit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, kjo do të thotë që ka qenë kërkesë e vetë BB–së për të bërë prishjen e ndërtimeve pa leje, në mënyrë që projekti të zhvillohej sipas parametrave që kishte vetë programi i qeverisë shqiptare me Bankën. Pra, kjo është lidhja dhe që e konstaton paneli. Ne kurrë nuk e kemi thënë publikisht një gjë të tillë, sepse qeveria ka prishur ndërtime pa leje edhe në zona që nuk janë të lidhura me projektin”, është shprehur dje ministri Ridvan Bode. Në lidhje me masat që do të marrë qeveria për të dëmshpërblyer familjet, ndërtimet e të cilëve u shembën nga Policia Ndërtimore, Bode u shpreh se “Qeveria për të gjitha rastet që dëmton në mënyrë të paligjshme pasurinë e individëve detyrohet të dëmshpërblejë. Ky është rregull i përgjithshëm jo vetëm për këtë zonë, por për të gjithë territorin e vendit, në qoftë se ka raste kur ndërtimet kanë qenë të lejuara dhe janë prishur ndërtime me leje, qeveria është e detyruar të bëjë dëmshpërblimin”. Por pavarësisht kësaj situate të krijuar, projekti i Bankës Botërore për Jalën do të vazhdojë. “Bordi i Guvernatorëve i kërkoi menaxhimit të BB–së që projekti të vijojë, duke bërë një ristrukturim vetëm për njërin prej komponentëve, nga 6 që ka gjithsej projekti”, tha dje ministri i Financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›