Meta: Do rikonceptojmë Maturën Shtetërore
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u premtoi dje të rinjve maturantë se pas 28 qershorit, LSI do të rikonceptojë Maturën Shtetërore. Sipas tij, reforma në Maturën Shtetërore ka dështuar dhe është gjysmake. “LSI angazhohet për rikonceptimin e Maturës Shtetërore në përmbajtje, në strukturë dhe në vlerësim, në mënyrë që brenda pak viteve ne të arrijmë nga niveli aktual i realizimit të preferencave të lëndëve, që është 30 për qind, për të ndjekur degë të caktuara në Universitete, në 60 për qind”, tha Meta. Nën sloganin “Rinia në Veprim”, Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje pasdite një takim me qindra të rinj gjimnazistë, për të diskutuar lidhur me problemet e Maturës Shtetërore. Duke folur për rolin e të rinjve në politikë dhe të përfaqësimit të interesave të tyre në Kuvend, Meta tha se LRI do të ketë përfaqësuesit e saj në kuvendin e ardhshëm. “Një nga këto, padyshim që do të jetë kryetarja e LRI, Erisa Xhixho, e cila besoj që do të jetë një nga kandidatet kryesore të LSI në kryeqytet. Ne do të kemi dhe kandidatë të tjerë nga LRI edhe në Tiranë, edhe në qarqe të tjera të vendit, ashtu sikurse jam i bindur që të rinjtë do të kenë rolin e tyre në qeverisjen e ardhshme, pas 28 Qershorit”, tha Meta. Duke hapur takimin, Kryetarja e LRI, Erisa Xhixho theksoi se është “Koha për Veprim”. Duke shprehur mirëkuptimin për gjendjen në të cilën ndodhen gjimnazistët para provimeve të Maturës Shtetërore, ajo njoftoi ngritjen e një Forumi On line, për t’i ardhur në ndihmë problemeve të tyre, në mënyrë që ata të informohen për çdo paqartësi që kanë.