Rregullorja e re e licencimit bën lëmsh ndërtuesit
Fabiola Çela
Rregullorja e re e Ministrisë së Punëve Publike për licencimin e kompanive të ndërtimit, në vend që të vendoste rregull duket sikur i ka ngatërruar më shumë punët. Kështu janë shprehur dje në një deklaratë për mediat Shoqata e Ndërtuesve, të cilët janë shumë të pakënaqur nga kjo rregullore. Rregullorja e re merr parasysh vetëm aktivitetin e bërë gjatë tre viteve të fundit nga një firmë ndërtimi, ndërkohë që ka firma që kanë mbi 10 vite që operojnë në treg. Sipas ndërtuesve, kjo do të thotë edhe humbje në vlerë monetare nga ana e këtyre shoqërive. Ndërtuesit janë drejtuar edhe në strukturat më të larta të shtetit dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje.
Ndërtuesit
Rreth 1000 kompani ndërtimi nuk kanë mundur të marrin licencë për kategorinë e punëve që ato kryejnë për shkak të konfuzionit me rregulloren e licencimit të miratuar nga MPPTT. E hartuar për të vënë rregull në kompanitë e ndërtimit, rregullorja e ka prishur këtë duke krijuar konfuzion. Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, projekti fillestar ishte parashikuar tre vitet e fundit, por me insistimin publik të SHNSH ky afat u shty në katër vite eksperiencë si bazë për të marrë licencën. “SHNSH e ka kundërshtuar që në fillim këtë praktikë, sepse do të penalizoheshin kompani që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aktivitet në katër vitet e fundit. Sot ka kompani që ushtrojnë aktivitet prej më shumë se 10 vitesh në vend dhe klasifikohen me këtë rregullore si të nivelit A (fillestare)”, ka thënë ai. Janë shtatë nivele klasifikimi të kompanive sipas vlerave në lekë të punimeve të kryera nga A–G. “Është e pamundur që në një sektor të tillë si ndërtimi, kompani që kanë një eksperiencë minimale, por që janë mbështetur me fonde vitet e fundit të kenë kategorinë F dhe kompani që kanë më shumë se 10 vite në treg të kenë nivelin A. Kjo tregon një mungesë serioziteti dhe vlerësimi për investimet e mëdha njerëzore dhe materiale që këto kompani kanë bërë për të ngritur emrin e tyre”, është shprehur drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate. Madje, në deklaratën e tyre, ndërtuesit nuk kanë hezituar të thonë se “zhvlerësimi i kompanive na bën të dyshojmë për qëllime klienteliste për të marrë në mbrojtje kompani të krijuara rishtazi, por që janë furnizuar me fonde publike në këto katër vitet e fundit”. Kohët e fundit përplasjet mes ndërtuesve dhe qeverisë kanë qenë të shpeshta. Jo pak herë ndërtuesit janë ankuar ndaj vendimeve të marra nga qeveria, si manualin e çmimeve, pagat referuese, ligjin e gjobave etj.