E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të largojmë Berishën nga politika

 

LSI zhvilloi një miting të gjerë qytetar në praninë e mijëra përkrahësve në sheshin kryesor të Patosit. Kreu i LSI, Ilir Meta i shoqëruar nga nënkryetari dhe kandidati që udhëheq listën e kandidatëve të LSI në Fier, Dritan Prifti si dhe nga kandidatët e tjerë të këtij qarku, u shpreh se kësaj përkrahjeje kaq të madhe të qytetarëve në të gjithë vendin, LSI i përgjigjet me programin më të mirë dhe më konkret, e gatshme për të qeverisur vendin pas 28 Qershorit. Duke folur para mijëra qytetarëve të Patosit, Meta u shpreh se jam këtu në Patos për t’ju treguar ju dhe gjithë shqiptarëve se Lëvizja Socialiste për Integrim, të gjithë progresistët dhe socialistët të bashkuar me LSI-në dhe me koalicionin tonë Aleanca Socialiste për Integrim, qëndrojnë përballë Sali Berishës për ta mundur më 28 Qershor, për ta larguar një herë e mirë nga politika dhe nga qeverisja, këtë Kryeministër që ka diskriminuar të gjithë shqiptarët gjatë gjithë këtyre viteve. Duke iu përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Berisha gjatë Kongresit elektoral të PD-së Meta theksoi se “është për të ardhur keq që Kryeministri jonë mjek, që ka sëmurur gjithë Shqipërinë, e ka kuptuar tani në fund të mandatit, sesa i sëmurë është vetë sistemi i mjekësisë, të cilën e kishte vendosur si çështjen kryesore për të zgjidhur gjatë katër viteve të ardhshme. Një turp i madh për një Kryeministër me profesion mjek”. Sipas tij, nga një Kryeministër i tillë nuk mund të pritet asgjë. “Një kryeministër mjek që nuk ka bërë asgjë për shëndetësinë për këta vite, si mund të nxjerrë ekonominë shqiptare nga kriza. Ky Kryeministër që është më i papërgjegjshmi në të gjithë rajonin, dhe në të gjithë kontinentin, nuk pranon efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare dhe në familjet shqiptare”, tha kreu i LSI-së. Meta gjithashtu gjatë fjalës së tij para mijëra të pranishmëve prezantoi dhe objektivat e LSI-së për këtë rajon naftëmbajtës. “Në programin tonë, tha Meta dhe në Planin tonë të Veprimit, është miratimi nga Parlamenti i ri pas 28 Qershorit të Statusit të Naftëtarit. Ndaj ne do të bashkëpunojmë me sindi-katat e naftëtarëve, në mënyrë që të miratojmë një status të naftëtarëve, i cili i jep vendin e merituar dhe shpërblimin e merituar këtyre njerëzve të sakrificave të mëdha, të cilët kanë punuar në një profesion tepër të vështirë dhe me pasoja për shëndetin e tyre”, tha Meta.

Mungojnë kuponat në Skrapar
Kandidati i LSI-së për deputet në këtë rreth, Nasip Naço shprehu shqetësimin e mungesës së kuponave për aplikim për karta identiteti. Sipas tij, kuponat janë vetëm për pensionistët, duke bllokuar në këtë mënyrë pajisjen e qytetarëve të tjerë me karta. “Në komunën Gjerbës po hasen pengesa në shpërndarjen e kuponave për aplikim për karta identiteti, duke justifikuar se ato që janë në gjendje, janë vetëm pensionistët duke bërë seleksionime sipas bindjeve politike”, u shpreh Naço.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›