Pronarët kërkojnë ligj të ri për kthimin e pronave
Zgjidhja e çështjes së pronës po bëhet kali i betejës për politikën gjatë kësaj fushate elektorale. Partitë politike, kryesisht të mazhorancës, nga takimi në takim premtojnë se nëse u besohet një mandat i tyre, ajo që do të zgjidhet e para do të jetë çështja e pronës. Por vetë pronarët vazhdojnë të jenë skeptik për vullnetin e kësaj politike, për zgjidhjen e çështjes së pronës, ndaj ata kanë vendosur të jenë vetë pjesë e kësaj beteje elektorale për t‘u përfaqësuar në Parlament me njerëz nga shtresat e pronarëve, të cilët do të ngrenë zërin për realizimin e kërkesave të tyre. Pronarët, nëpërmjet Agim Torros, i cili kandidon për deputet, deklarojnë se për të zgjidhur çështjen e pronës duhet t‘u plotësohen të paktën 21 pika. Sipas pronarëve, Parlamenti duhet të hartojë me përparësi një ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronës, ligj i cili duhet t‘i përgjigjet shtetit të së drejtës. Shteti shqiptar duhet të përcaktojë dhe inventarizojë pronat e veta të para vitit 1945, sepse deri tashti i ka dhënë të drejtë vetes që të trajtojë si të vetat edhe pronat e pronarëve. Pronarët theksojnë se në këtë ligj përparësi duhet të ketë kthimi fizik, pa kufizim i pronës. Në bazë të gjithë ligjshmërisë të jetë parimi që kush ka përfituar një pronë dhe dëshiron ta ketë atë, me pëlqimin e pronarit, ta paguajë atë me vlerën e tregut në momentin që paguan. Të rishikohet ligji i legalizimeve. Ata kërkojnë që kompensim nga shteti të ketë vetëm për pronat që janë e përdoren për interes publik, ose janë të zëna me ndërtime shtetërore para vitit 1991. Përparësi do të kenë qytetarët, tokat e të cilëve janë zënë nga baset e hidrocentraleve. Zbatimi në praktikë i ligjit t‘i besohet një institucioni, i cili të varet drejtpërdrejtë nga Parlamenti dhe të monitorohet e kontrollohet nga një komision parlamentar. Shteti të marrë përsipër, sipas parimit shteti ia mori - shteti ia kthen, trajtimin maksimalisht të dokumentacionit të thjeshtuar të paraqitur nga pronarët. Shteti të marrë përsipër dixhitalizimin dhe unifikimin e gjithë sistemit hartografik, nga ai i para vitit 1945 deri tek ai i sotmi, duke përfshirë atë të ZRPP dhe të hortofotos. Të gjitha ndërtimet pa leje, të ndërtuara nga pushtetarët e zgjedhur, të të gjitha niveleve, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore, drejtuesit e OJQ-ve dhe të mediave, apo familjarëve të tyre, të konfiskohen në favor të shtetit. Shteti të marrë përsipër dhe të rishikojë gjithë privatizimet e realizuara deri tashti, si dhe të gjejë rrugët e anulimin e atyre privatizimeve që nuk respektojnë të drejtën e pronësisë, si dhe kur përfituesit e këtyre privatizimeve nuk kanë paguar fare ose kanë paguar me çmime qesharake.