E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Ne do ta nxjerrim vendin nga kriza, na votoni

Takimin e radhës me elektoratin, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, e ka zhvilluar në qytetin e Fierit. Në këtë takim Gjinushi është shprehur se, "ne vlerësojmë që bashkimi për ndryshim është një bashkim që e meriton votën, meriton mirëbesimin e votuesve shqiptarë, përballë nesh është një bashkim kukuvajkash, një bashkim i dështuar". PSD paralajmëroi në 2005 që rikthimi i Berishës është rikthim mbrapa, po me atë përgjegjësi u themi votuesve edhe tani në 2009 se qëndrimi i tij është qëndrim mbrapa, është qëndrim në krizë. Gjinushi ka theksuar se, "kriza shqiptare e ka emrin paaftësi e Kryeministrit, papërgjegjshmëri e tij, paaftësi e qeverisë, korrupsion i qeverisë, e ka emrin zëvendësim i monopoleve shtetërore me monopole familjare, ku është vërtet një kupolë që drejton ekonominë, ai që fliste për nepotizëm, ai që ndau gruan nga burri që të mos punonin në naftë njëkohësisht, për vete s‘la djalë, vajzë, mbesë, nip, baxhanak pa i futur në afera korruptive". Me qeverinë "Berisha" nuk ka privatizim që të mos jetë korruptiv, si Telekomi, ARMO, OSSH, kjo është qeveria që do të mbahet mend se vjedh me GDP, prandaj vijoi Gjinushi, ne jemi optimistë, se me largimin e shkaktarit kryesor - qeverisë dhe Sali Berishës është e mundur që ne të nxjerrim vendin nga kriza. "Ne jemi të aftë ta drejtojmë Shqipërinë; jemi të aftë të kryejmë ato reforma që nuk u bënë duke filluar nga arsimi, shëndetësia, pensionet, tri reforma të munguara në këto 4 vjet", tha Gjinushi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›