E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha gënjeu, pasuroi familjen

 

ARISTIR LUMEZI

Edi Rama premtoi nga Bilishti i qarkut Korçë naftë pa akcizë. Kryetari i PS, Edi Rama, vijoi turin e tij të takimeve në Bilisht, qarku Korçë. Në një takim masiv në këtë qytet, Edi Rama, mes entuziazmit të devollinjve, të cilët të gjithë donin ta preknin e përshëndesnin Kryetarin e PS, ka prezantuar 7 shtyllat e programit të ri qeverisës. “Sali Berisha ju gënjeu. Ne jemi këtu për t’ju thënë, se ndërkohë që pasi ju gënjeu, Sali Berisha kërkon që të jeni edhe të lumtur, sepse mendon që të gjithë ju, jetoni siç jeton familja e tij, që në fakt është e vetmja familje realisht përfituese në këto 4 vjet qeverisje të Sali Berishës. Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi solemnisht përpara jush, se pas 28 Qershorit, naftën do ta keni pa akcizë”, tha kreu socialist. Sipas Edi Ramës, shqiptarët kudo që janë, në fshat apo qytet, pas 28 Qershorit do ndjejnë ndryshimin. “Do të sjellim në shtëpitë e shqiptarëve ndryshimin e pritur, që nga tryeza e bukës deri tek cilësia e jetesës, Shqipëria nuk mund të zvarritet më por të ecë me ritme të reja, me zhvillim të ri”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se do të jetë Partia Socialiste dhe ekipi i saj i ri që do të punojnë ndryshe me një vullnet të ri dhe me zgjidhje krejt të reja për këtë vend. Nga Bilishti, lideri i opozitës vuri gishtin mbi oborrin kryeministror, i cili është i vetmi grup njerëzish që jetojnë një “Shqipëri që po ndryshon”. Sipas tij, Sali Berisha në këto katër vjet arriti të ndryshojë vetëm jetën për familjen dhe oborrin e tij qeveritar. “Katër vjet të tjera me Sali Berishën dhe oborrin e tij, theksoi Rama, do të sjellin më shumë papunësi. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më në këtë gjendje varfërie dhe papunësie”. Duke u ndalur në një nga pikat e programit qeverisës, Rama vlerësoi ekzistencën e dy Shqipërive, një që ka mundësi të mjekohet dhe një tjetër që për shkak të varfërisë nuk merr as shërbimin elementar shëndetësor. “Kjo do të ndryshojë, tha Rama, do ngremë shërbim shëndetësor universal që do t’i shërbejë të gjithëve pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore. Sali Berisha thotë se Shqipëria po ndryshon. Është e vërtetë, që Shqipëria po ndryshon për një grusht njerëzish, të cilët sot janë shumë më të pasur, të cilët sot jetojnë shumë më mirë, të cilët sot i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe këta janë njerëzit e familjes së Kryeministrit dhe njerëzit e oborrit të Kryeministrit, ndërkohë që jashtë atij oborri, jeton një Shqipëri tjetër, e cila mezi arrin fundin e muajit, e cila sot 4 vjet më vonë, me rrogat e dyfishuara të Sali Berishës, blen dy herë më pak se 4 vjet më parë. Pas 28 qershorit, do të ketë vetëm një Shqipëri: Shqipëria e qytetarëve e qytetareve pa dallim, të cilët do të kenë pranë shërbimin shëndetësor kombëtar, që do t’i shërbejë çdo qytetari e qytetareje, qoftë i pasur, qoftë i varfër, njësoj, me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin dinjitet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›