Milo: S‘do lejojmë që qeveria të manipulojë zgjedhjet me kartat
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, zhvilloi takime me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në Qytetin e Tepelenës, ku prezantoi kandidatët për deputetë të Qarkut të Gjirokastrës të kryesuar nga ekonomisti Hasim Peta, Aurel Balili, Vladimir Dosti, Marjana Labi dhe Fatbardha Idrizaj. Milo u tha të pranishmëve se, "ne paralajmërojmë qeverinë e mazhorancës aktuale se nuk do të lejojmë që ajo të manipulojë me procesin e dhënies së kartave të identitetit dhe të krijojë avantazhe paraprake për sfidën elektorale që kemi përpara". Zërin tonë, tha Milo, do ta ngremë fuqishëm dhe po e paralajmërojmë edhe njëherë Kryeministrin Berisha dhe shpurën e tij, se pa garantuar qytetarët shqiptarë me karta identiteti, ai vë në rrezik serioz zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo qeveri, vijoi ai më tej, vë në të njëjtën kohë në rrezik, jo vetëm imazhin e kësaj qeverisjeje që është përdhosur keq me veprime të tjera brenda Shqipërisë dhe në marrëdhëniet me jashtë, por vë në rrezik imazhin e Shqipërisë, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Sipas kryetarit të PDS-së nëse ky proces nuk shkon deri në fund në mënyrë të ndershme do vërë në rrezik zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri.