Meta: T‘i japim fund një Kryeministri mjek që nuk bëri asgjë për mjekësinë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka vijuar takimet elektorale në qytetin e Patosit. I shoqëruar nga nënkryetari dhe kandidati që udhëheq listën e kandidatëve të LSI në Fier, Dritan Prifti, si dhe nga kandidatët e tjerë të këtij qarku, Meta u shpreh se kësaj përkrahjeje kaq të madhe të qytetarëve në të gjithë vendin, LSI i përgjigjet me programin më të mirë dhe më konkret, e gatshme për të qeverisur vendin pas 28 qershorit. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se koalicioni që di drejton qëndron përballë Sali Berishës për ta mundur më 28 qershor, për ta larguar një herë e mirë nga politika dhe nga qeverisja, këtë Kryeministër që ka diskriminuar të gjithë shqiptarët gjatë gjithë këtyre viteve. Duke iu përgjigjur menjëherë demagogjisë së Kryeministrit Berisha në programin elektoral që lexoi në Kuvendin e PD-së, lideri i LSI theksoi se "është për të ardhur keq që Kryeministri ynë mjek, që ka sëmurë gjithë Shqipërinë, e ka kuptuar tani në fund të mandatit, sesa i sëmurë është vetë sistemi i mjekësisë, të cilën e kishte vendosur si çështjen kryesore për të zgjidhur gjatë katër viteve të ardhshme". Është për ta ardhur keq, tha Meta, kur shikon gjendjen e spitaleve të vendit tonë, dhe që ky Kryeministër mjek nuk i ka parë fare nga afër ato. Gjatë këtyre katër viteve, tha Meta, Patosi vuajti rritjen e papunësisë. Shumë shqiptarë u pushuan nga puna dhe shumë probleme të tjera u shtuan për shkak të kësaj keqqeverisjeje. 11 mijë vende pune, u mbyllën vetëm tri javë më parë nga biznesi më i madh punëdhënës në Shqipëri, ai i fasonëve. Sepse qeveria e Sali Berishës, u tregua e shurdhët ndaj kërkesave të tyre për t‘i ndihmuar dhe për t‘i mbështetur. Ky Kryeministër, tha Meta, që është më i papërgjegjshmi në të gjithë rajonin, dhe në të gjithë kontinentin, nuk pranon efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare dhe në familjet shqiptare. Ndaj, më 28 qershor, u shpreh lideri i LSI, Patosi do të votojë LSI-në, sepse LSI-ja është alternativa e punës, është alternativa që do të nxjerrë industrinë tonë të prodhimit të naftës nga kjo gjendje e rëndë stanjacioni dhe krize, sepse ne kemi një program të qartë për të shtuar 6 mijë vende të reja pune, brenda katër viteve të ardhshme vetëm në industrinë e naftës.