Meta: Do të realizojmë shumë projekte për bregdetin
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vijoi turin paraelektoral në qytetin e Vlorës. Në takim, Meta u ka kërkuar vlonjatëve që të votojnë për LSI-së, sepse duke votuar për këtë forcë politike, do të votojnë për realizimin e projekteve më të bukura dhe më përrallore të zhvillimit të turizmit në Shqipëri. "Një ndër këto projekte është edhe bërja e një master-plani për shndërrimin e një gadishulli jashtëzakonisht të bukur, interesant dhe me potenciale të jashtëzakonshme turistike, që është ai i Karaburunit nga një gadishull që sot shërben vetëm për kullota në një nga perlat e Mesdheut për të zhvilluar turizmin", u shpreh Meta. Ai theksoi më tej se Plani për Veprim i LSI-së synon të ofrojë perspektiva të reja për të gjithë shqiptarët, një dinamikë krejt ndryshe nga ajo aktualja për ndryshimin e vendit, e cila nuk mund të vijë përmes fjalëve, deklaratave, përmes fjalimeve, por vetëm përmes Kohës për Veprim. "Ndaj dhe Plani ynë për Veprim fillon pikërisht me punësimin dhe, jo më kot, ne e theksojmë çështjen e punësimit si çështjen themelore që ka sot vendi, që kanë sot shqiptarët dhe mbi të cilën do të ndërtohen të gjitha politikat shtetërore, qeverisëse, fiskale dhe arsimore", theksoi kreu i LSI-së. Meta u shpreh se dy janë dhe objektivat e LSI-së për punësimin. Së pari, për hapjen e 100 mijë vendeve të qëndrueshme të punës gjatë katër viteve të ardhshme dhe, së dyti, një program i veçantë për të ndihmuar çdo familje që jeton në varfëri kritike dhe që nuk ka asnjë të punësuar të paktën përmes programit të punësimit jetik për një periudhë afatshkurtër.